Masa e reja kundër pandemisë Covid-19 në Itali, prej 1 majit s'ka më maska dhe "greenpass"
Prej datës 1 Maj, qytetarët italianë nuk janë të detyruar të përdorin maskat shëndetësore e certifikatën jeshile si në ambientet e jashtme dhe në ato të mbyllura, por me disa përjashtime.
Në ambientet shkollore, në struktura spitalore e asistence mjekësorë, në kinema, teatër, e mjetet e transportit publik, maskat e mbrojtjes personale do të vazhdojnë të mbahen deri më 15 qershor.
Për sistemin e punës, qeveria Draghi ka vendosur të adoptoj një politikë ndryshe, duke rekomanduar punëdhënësit apo institucionet që në strukturat që janë në kontakt me publik masat anticovid të vazhdohen të përdoren. Pra një zgjedhje e lirë pa asnjë pasojë gjobvënie.
Ndërsa sa i përket fushatës së vaksinimit, detyrimi i vaksinës anti Covid për grupmosha e kategori të caktuara, do të mbetet në fuqi deri më 15 qershor për personelin e forcave të rendit, personelin arsimor e atë mjekësorë.
Situata e strukturave spitalore për pacientët Covid në Itali është përmirësuar mjaft edhe pse të dhënat e përditshme të pandemisë vazhdojnë të informojnë se vazhdon të jetë e pranishme.
Prandaj thotë ministri i shëndetësisë Roberto Speranza, "duhet një qasje e kujdesshme e përdorimi i masave anti Covid në raste kur rrezikohet infektimi".
Në 24 orët e fundit, Italia ka regjistruar mbi 53 mijë të infektuar e 130 viktima, ndërsa koeficienti i pozitivitetit ndër mbi 300 mijë tamponë molekularë e testime anti Covid është rreth 14%.
