Lufta në Ukrainë, mbi 3000 viktima civile, Berlini gati për embargon ndaj naftës ruse

Jemi në ditën e 68-të të luftës në Ukrainë. Mbi 3,000 viktima civile janë vrarë në Ukrainë që nga pushtimi rus i 24 shkurtit. 

Kështu deklaroi Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (Ohchr) duke saktësuar se numri i të vdekurve është 3153 persona, 254 më shumë se të premten, edhe nëse vështirësitë e verifikimit sugjerojnë se numri është dukshëm më i lartë.

Gjermania ka deklaruar se është gati për embargon ndaj naftës ruse. 

"Me një embargo ruse të naftës do të kishim një problem lokal dhe padyshim një rritje të çmimeve dhe ndoshta zinxhirët e furnizimit nuk do të ishin të sigurta, por nuk do të ndikonte në ekonominë kombëtare në tërësi. Pra, pas dy muajsh punë, mund të them se Gjermania nuk është kundër një embargoje nafte ndaj Rusisë. Është e qartë se është një ngarkesë e rëndë për t'u përballuar, por ne jemi të gatshëm ta bëjmë" deklaroi ministri gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Veprimin Klimatik, Robert Habeck, para mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Energjisë në Bruksel. 

Mariupoli rifilloi evakuimi i civilëve nga uzina e çelikut Azovstal. 

Ndërkohë, Rusia ka paralajmëruar vendet që vendosin të mbështesin rezistencën ukrainase.

 “Të gjithë krerët e shteteve të vendeve furnizuese me armë të Ukrainës duhet të sillet para drejtësisë si kriminelë lufte", tha kryetari i Dumës Vyacheslav Volodin.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, 5.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus.

Situata humanitare në Ukrainë vazhdon të përkeqësohet. Në total, 15.7 milionë njerëz në Ukrainë kanë nevojë për ndihmë humanitare, duke përfshirë 3 milionë fëmijë. Në total, u raportuan 164 sulme ndaj kujdesit shëndetësor. 

Këtë e ka bërë të ditur UNICEF, duke bërë të ditur se ndihmat humanitare vazhdojnë pa ndërprerje. Deri më 26 prill, UNICEF-i kishte dërguar 206 kamionë me ndihma emergjente me vlerë 18 milionë dollarë për të mbështetur fëmijët dhe familjet në vendet fqinje.