Rusët vjedhin mjete bujqësore me vlerë 5 milionë dollarë, pasi i çojnë në Çeçeni mësojnë se nuk punonin
Trupat ruse kanë plaçkitur mjetet bujqësore nga një tregtar që i shiste ato në qytetin e Melitopolit. Pajisjet, sipas një biznesmeni ukrainas të zonës, janë dërguar në Çeçeni.
Kohët e fundit ka patur mjaft raportime se rusët po plaçkisin shumë pajisje bujqësore, drithëra e madje dhe materiale ndërtimi- veç plaçkitjes së gjerë të banesave.
Sipas CNN, pajisjet u morën nga kompania "Agrotek" në Melitopol, nën kontrollin e forcave ruse që në fillim të marsit. Gjithsej, vlerësohet një dëm prej 5 milion dollarë. Vetëm makinat korrëse kushtojnë 300,000 dollarë secila.
Pasi kontaktoi me një banor, që për arsye sigurie nuk i jepet identiteti, CNN bën me dije se plaçkitja filloi me vjedhjen e dy makinerive korrëse, një traktori dhe një makinerie për mbjelljen e farave. Në javët e mëvonshme, vjedhja vazhdoi me 27 makineri të tjera mes të cilëve dhe një kamion me shtrat të sheshtë, i cili dukej se përdorej nga forcat ushtarake me simbolin "Z" të bardhë.
Disa prej makinerive u dërguan në një fshat aty pranë, kurse disa prej tyre u dërguan në Çeçeni, më shumë se 700 milje larg. Sofistikimi i makinerive, të cilat janë të pajisura me GPS, tregoi se ato u lokalizuan për herë të fundit në fshatin Zakhan Yurt në Çeçeni.
Të tilla makineri mund të kontrollohen dhe në distancë dhe me mbërritjen në Çeçeni trupat ruse panë se makineritë nuk ndizeshin.
"Kur pushtuesit i çuan makinat korrëse të vjedhura në Çeçeni, ata e kuptuan se nuk mund t'i ndiznin dot, pasi ato ishin bllokuar. Kështu ata kanë gjetur persona në Rusi që të "thyejnë" sistemin e sigurisë së makinerive" ka thënë kontakti.
Burime të tjera në rajonin e Melitopolit thonë se vjedhja nga njësitë ushtarake ruse është shtrirë dhe në drithërat e mbajtura në kapanone, në një rajon që prodhon qindra mijëra tonë të korra në vit.
Javën e kaluar kryetari i bashkisë së Melitopolit postoi një video që tregonte një autokolonë kamionësh që largohej nga qyteti me grurë.
"Ne kemi prova të qarta se ata kanë marrë grurin nga depo e qytetit Melitopol. Ata grabitën depot e grurit bashkë me fermat private," tha kryebashkiaku për CNN.
