Dinamika e aksidentit në Lanë, autobusit si punuan frenat dhe mori përpara makinën

Autobusi i linjës së Unazës në Tiranë që u aksidentua mbrëmjen e të premtes duke përfunduar në lumin Lana ka mbetur aty edhe një ditë më pas. Nga aksidenti mbetën të plagosur 5 persona.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes ndërkohë që grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe ka marrë dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen e rëndë.

Burimet i thanë Ora News se rreth orës 20:10,mbrëmjen e 29 prillit, autobusi i linjës GoGreen me drejtues Muhamet Kyçykun sapo kishte kaluar urën e "Myslym Shyrit" dhe po përgatitej për tu ndalur në stacion.

Duke qenë se para vendqëndrimit të urbanit ishin parkuar mjete të tjera, shoferi 62-vjeçar ka ndaluar disa metra para se të mbërrinte aty.

Pasi ka hipur pasagjerja dhe gjatë daljes në korsine e mesit, urbani ka pësuar një defekt teknik ku shoferi ka humbur kontrollin.

Në krahun e majtë të urbanit me shpejtësi nomrmale ishte makina tip "Benz" me drejtues Jurgen Ramën.

Shoferi i autobusit duke mos pasur akses në sistemin e frenimit dhe për shkak të panikut e ka drejtuar autobusin në drejtim të Lanës, duke e marrë përpara makinën.

Si pasojë e përplasjes së fortë të dyja mjetet përfunduan në lumin Lana.

Grupi hetimor është në pritje të nxjerrjes së autobusit nga lumi me qëllim kryerjen e një eksperimenti për të zbardhur shkakun e problemit teknik.

Aksidenti ka ngjallur kureshtjen e qytetarëve të cilët këtë të shtunë gjatë kalimit në zonë kanë ndaluar mejtet dhe disa prej tyre kanë zgjedhur të bëjnë dhe foto me skena të pazakonta.

Autobusi i përfshirë në aksident u prezantua nga bashkia e Tiranës si një risi në shërbimin e qytetarëve pak javë më parë.