Mjetet e veriut rrotull për në Rinas, Spahia: Vendimi i pamenduar mirë nga ARRSH, shton koston për qytetarët
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se nga 1 Maji, lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga aksi Qafë Kashari-Rrethrrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia, duke thënë se ky është një vendim i pamenduar mirë, që është në dëm të veriut.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, ai thotë se ky devijim i rrugës që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit në kilometra por edhe shtim të kostos financiare për banorët nga Shkodra dhe zonat e Veriut drejt aeroportit "Nënë Tereza" dhe kryeqytetit.
Postimi i plotë:
Jam njohur me vendimin e fundit të ARRSH për devijimin e rrugës nacionale drejt aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë në drejtimin nga Shkodra drejt kryeqytetit. Me shumë të drejtë, ka pasur reagime të shumta të banorëve të Shkodrës lidhur me këtë vendim që dëmton Veriun e vendit.
Është një vendim i pa menduar mirë, që shkakton jo vetëm zgjatje të udhëtimit në kilometra por edhe shtim të kostos financiare për banorët nga Shkodra dhe zonat e Veriut drejt aeroportit "Nënë Tereza" dhe kryeqytetit.
Në emër të banorëve të Shkodrës, i bëj thirrje institucioneve që të rishikojnë këtë vendim absurd të marrë në dëm të banorëve të Shkodrës dhe mbarë Veriut të vendit.
Nga ana tjetër, ftoj të gjithë kolegët, drejtues të bashkive të tjera në Veri të vendit që t'i bashkohen kësaj thirrje në të mirë të qytetarëve, të cilët sot kanë nevojë për lehtësim dhe jo vështirësim të lëvizjes dhe rritje të kostove të jetesës.
