“Po ndjekin linjën e Bashës” Paloka i prerë: Alibeaj dhe dy-tre kokrra të tjerë s’janë pjesë e opozitës
Deputeti i PD-së, Edi Paloka tha se janë dy tre deputetë në grupin e PD-së që vazhdojnë linjën e Lulzim Bashës për të përçarë partinë.
Në një intervistë për Ora News, Paloka tha se linja që po ndjekin deputetët e PD-së, i shërben vetëm Edi Ramës.
Edi Paloka: Janë dy tre kokrra në grupin e deputetëve të PD-së, që vazhdojnë të ndjekin linjën që nisi Lulzim Basha, që ishte linja e përçarjes të PD-së, ajo që na solli në këtë situatë ku jemi sot. Me gjithë largimin dhe marrjen e përgjegjësisë, nga Lulzim Basha që rezulton sot se ka qenë një falsitet, një marrje përgjegjësie fake, vazhdojnë të ndjekin të njëtjën linjë, që nuk është gjë tjetër, veçse linja që i intereson Edi Ramës. Përçarja e PD-së e nisur më 9 shtator i ka interesuar dhe i intereson vetëm Ramës, për të vazhduar i qetë, megjithëse ka një qeverisje më të korruptuar në rajon.
Ai tha se Komisioni i Rithemelimit ia ka bërë të qartë qëndrimin e tyre Alibeajt dhe deputetëve që ndjekin linjën e Bashës. Ai tha se ata s’janë pjesë e opozitës.
Edi Paloka: Të bëhesh pjesë e lojës së Ramës për të mbajtur opozitën e përçarë, kjo s’të bënë pjesë të opozitës. Ne e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe qëndrimin tonë ndaj Alibeajt dhe dy tre kokrrave tjera. Kjo është në ndarje përfundimtare e tyre me PD-në.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
