Përdori shkollën për fushatë, gjobitet kryebashkiakja e Durrësit, e kallëzoi Qëndresa Qytetare

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve gjobiti sot me 100 mijë lekë kryetaren e bashkisë Durrës, Emiriana Sako, për përdorimin e ambienteve të një shkolle të qytetit për të bërë fushatë zgjedhore në zgjedhjet e fundit lokale.

Kallëzimi ishte bërë nga “Qëndresa Qytetare”.

Gjithashtu është gjobitur me 50 mijë lekë të reja edhe drejtori i shkollës “Armath”, shtetasi Vlash Doda.

Njoftimi i plotë

Komisioneri shpalli edhe vendimin për shqyrtimin administrativ të denoncimit të “Organizatës Qendresa Qytetare”, për shkelje të parashikuar në vendimin nr. 9, datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” dhe kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës zj. Emiriana Sako, propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Komisioneri vendosi sanksionin administrativ me gjobë ndaj Drejtorit të Shkollës 9-Vjeçare “Armath” z. Vlash Doda në shumën 5 000 (pesë mijë) lekë dhe sanksionin administrativ me gjobë ndaj kandidatit për kryetar bashkie në bashkinë Durrës, të propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, zj. Emiriana Sako në shumën 100 000 (njëqind mijë) lekë.