"Njerëzit më drejtonin gishtin, kjo lesbikja", Karaj rrëfen çfarë përjetoi kur e tregoi publikisht orientimin seksual
Xheni Karaj është vajza nga Tirana e cila vite më parë theu një tabu e cila sot e kësaj dite vazhdon ende të has debate. Ishte maj i vitit 2012 kur Karaj publikisht deklaroi gjatë një debati të ashpër me ish politikanin Murat Basha, orientimin e saj seksual.
Karaj prej vitesh tashmë është kudo në emër të komunitetit që ajo përfaqëson, në mbrojtje të tyre kundër çdo lloj forme diskriminimi. Ajo është cilësuar si një ndër zërat më të fortë në mbështetje të të drejtave të komunitetit LGBTI+ , të cilin ajo e drejton tashmë prej vitesh. Së fundmi ajo mori edhe çmimin ndërkombëtar si mbrojtëse e të drejtave të njeriut nga “Civil Rights Defenders”. E ftuar në “Jeto me Orën”, në RTV Ora, Xheni rrëfeu emocionet e çmimit, dhe jetën përgjatë adoleshencës, dhe sot.
“Nuk e prisja, nuk më shkonte mendja se një aktiviste nga Shqipëria do të kishte shansin për këtë çmim.
Vitet e adoleshencës nuk kanë qenë të lehta. Ka qenë tabu, nuk kishim modele, nuk merrnim informacione. Këtu konsiderohej si sëmundje, si diçka e neveritshme. Njerëzit nuk flasin shumë për shëndetin mendor.
Më pëlqejnë sportet me adrenalinë. Kur jeton gjatë me frikërat, kupton se i heq vetes të drejtën për të jetuar përmes lirisë. Adrenalina tani është pjesë e qenies time.
Pasi kam dalë për herë të parë hapur, jam shënjuar për rreth një vit kur dilja në rrugë. Gjëja e parë që kam menduar atë natë kur dola hapur, kanë qenë prindërit e mi. Ndjeja dhimbje si do ta përballonin ata. Por tek ata kam gjetur mbështetje të madhe. Me partneren jam njohur në mjedisin e punës.
Parada e parë ka qenë emocionuese, kemi qenë 12 veta. Unë kisha gjithë jetën që ecja në atë bulevard dhe kuptova që hapësira publike më përket dhe mua. Këtë vit paradën e kemi më 21 maj, është një nga eventet më të rëndësishme. Kriza e kovidit e preku shumë komunitetin LGBTI+. Ne shpërndamë pako, dhe solidariteti që u pa midis anëtarëve të komunitetit, duhet të jetë shembull në këtë vend”, tha Xheni.
