Komisioneri me duar bosh në Tiranë
Pasi dështoi të bindë Bullgarinë që të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, eurokomisioneri Oliver Varhelyi i kërkoi sërish Shqipërisë të bëjë durim.
Në konferencën për shtyp me kryeministrin Edi Rama, zyrtari i lartë i BE nga Tirana i kërkoi Unionit të përdorë forcën e tij për të vendosur stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Varhelyi: Ne duhet patjetër që të përdorim gjithçka që kemi në dorë, nuk mund të kemi një luftë në Europë dhe Europa të mos përdorë të gjithë mundësitë e saj që të stabilizojë Ballkanin Perëndimor sepse i gjithë procesi i zgjerimit dhe integrimit ka të bëjë me stabilitetin dhe me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Është e vërtetë që në këtë proces, ne, jo vetëm shikojmë stabilitet, por mund edhe të krijojmë dhe të vendosim stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Në rast se Brukseli nuk do të hapë dritën jeshilen për Shqipërinë në qershor, për eurokomisionerin ky do të jetë një dështim i Europës.
Varhelyi: Nuk është Shqipëria ajo me të cilën po tallet njeri. Në rast se ne nuk vendosim për këtë gjë, ne po tallemi me vetveten, BE po tallet me vetveten, por është një fjalë shumë e fortë kjo për një Komisioner për ta thënë, kështu që nuk po them këtë gjë. Por vendimin nuk e kemi ne në dorë, vendimin e kanë shtetet anëtare.
Dëshira e kryeministrit Edi Rama për ndarjen nga Maqedonia e Veriut nuk ka marrë mbështetjen e Komisionit Europian.
Varhelyi: Nuk ka plan B. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë.
Në pozitat e atij që përdor veton bullgare si e vetmja pengesë, qëndrimi i Kryeministrit shqiptar ishte më i zbutur ndaj burokracisë së Brukselit.
Rama: Nuk mund t’i biem ne tani këmbës, që ose kështu si themi ne, ose tani, ose rrash e vdiqa, sado të drejtë të kemi, sepse përndryshe na mbyllin në banjë, siç ndodh me fëmijët që i bien këmbës nëpër filma.
Por as në këtë takim Rama nuk la pa ja kujtuar BE që pavarësisht si shkon rrugëtimi europian ai do të vijojë me projektin e iniciuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Rama: Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ne jemi absolutisht të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje dhe sigurisht , paralelisht me vazhdimin e rrugës së nisur, ne jemi shumë të interesuar që edhe të tjerët të përfshihen sepse “Ballkani i Hapur” është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës, nuk është krijuar për të qenë përjashtues.
Duke folur për kryeministrin e ri të Malit të Zi, me të cilin ende nuk kam komunikuar dhe shpresoj ta bëj sot, imagjinoni sikur dikush t’iu thoshte, nuk e di, nuk po them 30 apo 20 vjet por 5 vjet përpara që Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte 3 kryeministra shqiptarë, do thonit....Sot është realitet. 3 shqiptarë në 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Tani, kjo mund të jetë shenjë e mirë, mund të jetë shenjë e keqe, unë nuk e di, por fakti është që janë 3 shqiptarë kryeministra të Ballkanit Perëndimor, përtej shakasë, dhe nuk është pak, është shumë.
Ashtu sikundër, është shumë e qartë që shqiptarët, në këtë kohë që kanë rilidhur urat me Europën, ecim përpara dhe fitojnë vetëm nëse dinë të sillen si njerëz të paqes. Kjo është pak, por e sigurt. Patjetër që ne do ta riftojmë Malin e Zi. Sigurisht i takon kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për ta bërë ftesën zyrtare sepse Samiti i ardhshëm i Ballkanit të Hapur do jetë në Ohër, në 9 dhe 10 qershor, në mos gabohem, por patjetër që edhe nga ana ime do bëj, si të thuash, inkurajimin tim për Dritanin që të jetë në tryezë.
Dritani ka qenë pozitiv ndaj Ballkanit të Hapur në parim dhe po ashtu, ne me shumë kënaqësi do ta prisnim Malin e Zi në tryezë. Por, vjen Mali i Zi apo nuk vjen Mali i Zi, vjen Kosova apo nuk vjen Kosova, vjen Bosnja apo nuk vjen Bosnja, Ballkani i Hapur do vazhdojë sepse, përveç të tjerave, ky është dhe vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Të gjithë do vijnë një ditë. Kush do vijë më vonë, do ketë humbur më shumë por secili ka të drejtë të vendosë për veten e vet. Ne nuk vendosim për të tjerët, ne vendosim për Shqipërinë.

