Shpërndante drogë në doza të vogla, arrestohet 54-vjeçari në Berat
Një 54-vjeçar është arrestuar nga policia e Beratit, pasi akuzohet se ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta dhe përshtaste banesën e tij për përdorimin e lëndëve narkotike.
Janë sekuestruar 206 gramë lënde e dyshuar narkotike heroinë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar "Adekuat" u arrestua në flagrancë shtetasi K. F., 54 vjeç, banues në lagjen "Donika Kastrioti", Berat.
"Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas ka ushtruar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në qarkun e Beratit, si dhe ka përshtatur banesën e tij, për përdorimin e lëndëve narkotike", bën me dije policia.
Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.
