Rama "hap thesin" e premtimeve: Do krijojmë "Sirin" që t'ju ndihmojë me shërbimet online

"Shtetin do ta fusim në xhep të qytetarit."

Shërbimet që do të kërkojnë shqiptarët nga shteti nuk do të mund t'i marrin më në sportele. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas pak ditësh gjithçka do të jetë vetëm online.

"Në datën 30 prill nuk ka më sportele në Republikën e Shqipërisë. Të hyjë te platforma dhe ta marrë shërbimi, të gjitha këto shërbime janë kështu. Përfshirë edhe famëkeqen hipotekë", tha Rama.

Edhe ADISA, institucioni që ka pritur kërkesat dhe ka prerë faturat do të jetë i mbyllur.

"Nuk do ketë më zyra ADISA më 1 maj, nuk do të ikë njeri nga puna, por brenda do vazhdojë puna për të bërë pikërisht këtë, për të vazhduar shërbimin ndaj qytetarëve në mënyrë që gjithë procesi i aplikimeve të jetë proces i suksesshëm", tha Rama.

Në sportele do të mund të merren vetëm disa shërbime specifike.

"Shërbimi i marrjes së kartës së identiteti, ku duhet të vësh gjurmët e gishtërinjve nun mund të bëhet ende", tha ai.

Një tjetër risi do të jetë dhe asistenti online.

"Kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë po këtu, siç është Siri që besoj e dini. Kështu do të jetë asistenti digjital i çdo qytetari. Për tu interesuar, për të marrë përgjigje për një shërbim të caktuar, për mënyrën se si merret do ta ketë këtu në telefon asistentin me zë. Nga shtëpia do t'i kërkojë përgjigje për gjithë gamën që lidhet me shërbimet me dokumente", tha Rama.

Edhe pse shpesh kryeministri ka kundërshtuar raportet negative të ndërkombëtarëve për qeverinë, në prezantimin e kalimit të shërbimeve online zgjodhi pikërisht një raport ndërkombëtar për të konfirmuare si arritje përdorimin e teknologjisë.

"Sot ka shkuar në vendin e 17-të për shërbimet digjitale", përfundoi kryeministri.

Rama tha se do të ketë dhe penalitete për të gjithë njerëzit që do jenë shkaktarë për vonesa, pro nuk pranoi t'i bënte të ditura ditën e sotme. Sipas tij, me këtë sistem ka mundësi që marrëdhënia me s qytetarëve dhe shtetit të kalojë në një nivel tjetër.