Tjetërsuan “Ranën e Hedhun”, policia gjurmon për të kthyer në qeli grupin e Arben Ndokës
Policia e Lezhës po gjurmon për të dërguar në burg të afërm me ish ish-deputetin socialist, Arben Ndoka të dënuar për tjetërsimin e tokës tek Rana e Hedhun. Pak ditë më parë, Apeli i GJKKO forcoi dënimet për 10 persona dhe u sekuestroi 55 mln euro pasuri.
Të dënuarit për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit po gjurmohen për tu dërguar në qeli.
Policia e Lezhës po zbaton vendimet e drejtësisë ndaj grupit të afërt me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka.
Të dënuarit janë Gjevi Ndoka, Mimoza Ndoka, Emanuela Gjukra, Zef Lazri, Blendi Ndoka, Luigj Paloka, Paulin Simoni, Vlash Gaxulli, Genc Zeneli Kol Lleshi dhe Marjeta Perskura.
Apeli i Gjykatës së Posaçme Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i shtoi 18 vite burg në tërësi 10 personave mes të cilëve janë edhe vëllai e motra e ligjvënësit.
Gjevi Ndoka, nga 6 vite e 8 muaj u dënua me 10 vite ne qeli, ndërsa e motra Mimoza Ndoka, nga shërbimi i provës duhet të rikthehet për 5 vite e 4 muaj në burg.
Deri tani në pranga janë vënë Vlash Gazulli i dënuar me 2 vite 8 muaj burg, Kol Lleshi 2 vite 4 vite burg dhe Genc Zeneli 2 vite 4 vite.
Personat e tjerë që duhet të shkojnë në qeli nuk janë gjetur në banesat që kishin lënë në gjykatë si adresë ku u lanë të lirë.
Me vendim gjykate familjes së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka iu sekuestruan 55 milion euro pasuri, një prej shumave më të mëdha që i ka kaluar shtetit.
Hetimi ishte pjesë e dosjes 339, lidhur me tjetërsimin e 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve.
Prokuroria zbuloi një sipërfaqe prej 234 mijë metrash katrorë tokë në zonën e “Ranës së Hedhun” që ishte përfituar përmes falsifikimit të dokumenteve. Bashkia Lezhë dhe Këshilli i Qarkut Lezhë “nëpërmjet shkresave përkatëse zyrtare, pavarësisht se në realitet (tokat) janë mal dhe ranishte i kanë konfirmuar si toka të kategorisë “Arë” dhe “Pemtore”.
Sipas vendimit për konfiskim parcelat ishin regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë.
Dënimet e dhëna nga Apeli i Posaçëm
Gjevi Ndoka, dënohet me 10 vite burg, në Shkallën e Parë dënohet me 6 vite e 8 muaj
Mimoza Ndoka, dënohet me 5 vjet e 4 muaj burg, në Shkallën e Parë u la në shërbim prove
Emanuela Gjukra, dënohet me 6 vite burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj
Zef Lazri, dënohet me 4 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 8 muaj
Blendi Ndoka, dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj
Luigj Paloka, dënohet me 5 vite burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burg
Paulin Simoni, dënohet me 3 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg
Vlash Gaxulli, dënohet me 2 vite e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove
Genc Zeneli dënohet me 2 vite e 4 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove
Kol Lleshi, dënohet me 2 vite e 4 muaj burg, Në Shkallën e Parë ishte dënuar me 4 vite shërbim prove
Marjeta Perskura, dënohet me 1 vit e 8 muaj burg, në Shkallën e Parë ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj shërbim prove
