Trashëgimia nën ferra e bar, urat monument kulture në Lezhë rrezikojnë të shemben

Disa ura monument kulture në Lezhë rrezikojnë të shemben për shkak të mungesës së ndërhyrjeve. Ekspertët ngrenë alarmin se dëshmi të historisë janë lënë nën ferra të harrohen.

I mbijetuan luftërave ndër shekuj, por po humbin luftën me braktisjen.

Monumente kulture mesjetare në Qarkun e Lezhës po shkatërrohen dita ditës.

Kjo është Ura e Plakut Gjon në Raboshtë.

Mbrohet nga shteti, por hera e fundit që janë kujdesur për të ka ndodhur 8 vite më parë.

"Në bazë të punimeve që janë zhvilluar në vitin 2014, të cilat i kam bërë në mënyrë vullnetare, përveç harkut qendror të urës janë zbuluar dhe dy harqe të tjera anësore ose dritare shkarkimi. Për fat të keq janë të mbuluara me dhe", tha Paulin Zefi, ish-përgjegjes i Monumenteve të Kulturës.

Ferrat dhe barishtet e kanë mbuluar dhe rrezikojnë një dëshmitar të historisë.

Ekspertët ngrenë alarmin se struktura qindra vjeçare është e rrezikuar.

"Vegjetacioni i lartë sepse vegjetacioni i ulët nuk është problem. Vegjetacioni i lartë e ka pushtua urën, është rikthyer edhe më keq sepse një pjesë e madhe e këtyre bimëve janë kthyer në pemë dhe rrënjët kanë depërtuar brenda strukturës së urës. Kjo rrezikon edhe shembjen e mundshme të saj", tha Zefi.

Me braktisje e harresë përballet edhe ura mbi 7 shekullore e Shkinës në Blinisht që ende vazhdon e kryen funksionin.

Ura famshme e Zogut në Milot, Monument kulture i Kategorisë së parë po ashtu po shkon drejt shembjes.

Një prej këmbëve tashmë është fundosur dhe e gjitha struktura rrezikohet.

Shoqata Europa Nosta e ka renditur mes 7 monumenteve më të rrezikuara në Europë.

Por as ky konstatim i ekspertëve ndërkombëtar nuk e ka kthyer vëmendjen e ministrisë së Kulturës nga Ura që konsiderohej "Miss Ballkani", për vlerat e larta arkitekturore dhe inxhinerike.

Trashëgimia nën ferra e bar, urat monument kulture në Lezhë