Rrjetet sociale i bëjnë "gjëmën" të riut, drejtonte "Audin" nën efektin e lëndëve narkotike, policia e gjen dhe e arreston
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 31-vjeçar i cili pas testit rezultoi se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Drejtuesi i automjetit, A. S., ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë Rrugore dhe ka tentuar të largohet, por është vënë në pranga.
Ishte një video e postuar në rrjetet sociale ajo që vuri policinë në aksion.
"Menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale të një video-je, në të cilën një automjet qarkullonte me shpejtësi duke shkelur semaforin, në bulevardin “Bajram Curri”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë evidentuar dhe ndaluar automjetin", bën me dije policia.
Në momentin e ndalimit drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi A. S., është konstatuar se drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Për me tepër ai ka refuzuar t’ia paraqesë dokumentacionin e kërkuar oficerit të Policisë, si dhe ka kundërshtuar, me dhunë shoqërimin në organet e Policisë, duke manifestuar sjellje agresive dhe të dhunshme në raport me kërkesat ligjore te punonjësve të Policisë Rrugore.
Ky shtetas ka kundërshtuar efektivët e Policisë, edhe për të bërë testin e alkoolit.
Pasi është neutralizuar, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ai është testuar me aparatin drogë-testues dhe ka rezultuar se e drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, 31-vjeçarit iu pezullua leja e drejtimit për 24 muaj, iu zbritën 15 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 89.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, të parashikuar nga Kodi Rrugor. Kjo shkelje u provua pas matjes me aparatin drogë-testues, të markës “AquilaScan”.
Ky është rasti i tretë, brenda dy javëve, gjatë të cilit Policia Rrugore e Tiranës arreston në flagrancë drejtues mjetesh që përdorin mjetet nën efektin e lëndëve narkotike.

