Vasili: Debati për presidentin ka zero vlerë politike. Rama lider i pacipë dhe uzurpator pushtetesh
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se Konventa Kombëtare, e LSI-së që do të mbahet më 25 korrik do të jetë një moment shumë i rëndësishëm politik.
Në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, Vasili tha se LSI-së, po bën përgatitjet për t’u përballur me mazhorancën në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Petrit Vasili: Kjo konventë duhet të ishte mbajtur më parë, por u shty për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve. 25 korriku është një moment shumë i rëndësishëm politik, kompletohet procesi që nisi para pandemisë. Pandemia, tërmeti, këto tema të mëdha, kërkojnë opozitë të fortë.
Për fat të mirë në këto vite ku nuk patëm një sistem gjyqësor, ishte një gjë e jashtëzakonshme që Meta ishte president i Shqipërisë. Vendimet e tij janë të tijat. LSI vazhdon përgatitjet e saj pa u ndalur, për të pasur një strukturë që është e gatshme të përballet me zgjedhjet në vitin 2023.
Vasili ka komentuar dhe procesin që po bëhet për zgjedhjen e presidentit duke thënë se debati që po zhvillohet ka zero vlerë politike
Petrit Vasili: Debati dhe pazari, për presidentin e cila udhëhiqet nga Rama ka zero vlerë politike. Edi Rama nuk është njëri i tolerancës dhe i kompromiseve politike, është një uzurpator pushtetesh. Është vetëm Edi Rama që vet flet, vetë komenton, vetë bën polemikë. Kemi të bëjmë me çështje politike psiqike që e trajton Edi Rama.
I pyetur se a ka mundësi që presidenti i ri të jetë kandidat konsensual, Vasili u përgjigj: Zero mundësi përsa kohë Rama është në qeveri dhe disponon 77 vota.
Petrit Vasili: Edi Rama është një lider i pacipë. Ne patëm marrëveshje të rëndësishme me Ramën si ajo e 5 qershorit, por u shkatërrua, dhe u mundësua që ndodhte masakra që ndodhi sot një vit. Pandëshkueshmërisë, krimit, korrupsionit dhe trafiqeve u dha një alibi të jashtëzakonshme nëpërmjet votës.
Teksa e ka konsideruar si të pacipë, Vasili tha se Edi Rama, nuk ka mbajtur asnjë marrëveshje që ka nënshkruar me opozitën.
Petrit Vasili: Nuk ka asnjë marrëveshje të mbajtur, është njeri që vepron për llogari të oligarkëve dhe trafikantëve.
Vasili u ndal edhe tek bordi i transparencës, i krijuar për rritjen e çmimeve, duke thënë se ata bënë çmimet që ju leverdis atyre e jo qytetarëve.
Petrit Vasili: Bordi është pazari, i Edi Ramës me oligarkët dhe vënë çmimin që iu leverdis atyre. Plaçkisin pasurohen në kohën më të tmerrshme të krizës. Kjo është çështja kryesore, ajo është tallje e madhe.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
