Droga “Bonsai” në Korçë, policia kontrolle në qytete të tjera. Mjeku: Droga më e rrezikshme, shkakton haluçinacione
Droga sintetike "Bonsai", e cila javën e kaluar u kap në Korçë, ka hyrë prej kohësh në Shqipëri. Mjekët toksikologë thonë se në spitale janë regjistruar shpesh raste të personave që kanë marrë mjekim të detyruar pasi kanë konsumuar këtë lëndë narkotike problematike.
Sipas specialistëve, kjo lloj lënde e cilësuar edhe si bombë, shkakton çrregullime të mëdha psikologjike dhe emocionale deri haluçinacione tek përdoruesit e saj dhe nuk zbulohet nga pajisjet e thjeshta të testimit.
Mjekët dhe burimet spitalore tregojnë se droga e rrezikshme me emërtimin Bonsai ka kohë që ka hyrë në Shqipëri edhe pse për herë të parë një sasi e tillë u sekuestrua nga policia në operacionin e zhvilluar së fundmi në Korçë.
Kjo lëndë narkotike, në dukje imitim i kanabisit, është një prodhim sintetik që kushton më pak së marijuana në tregun kriminal të lëndës narkotike por është shumë herë më e rrezikshme se heroina.
Prezencën e saj të hershme në vendin tonë e konfirmon edhe mjeku toksikolog Alban Haxhi, i cili tregon se e konsumatorët e kësaj lëndë kanë përfunduar në spital për mjekim.
“Ne kemi pasur histori nga më të ndryshmet në lidhje më këtë drogë. Pacientët gjithmonë kur vijnë për tu trajtuar referohen se janë droga si cannabis jo po thjesht më bëri më keq, po thjesht nuk isha mirë, mundohen ta gjejnë justifikimin tek pjesa jo e prodhimit sintetik të kësaj droge.”
Sipas mjekut Haxhi, konsumi i kësaj lëndë narkotike shkakton çrregullime të rënda mendore, haliçinacione si dhe veprime të pa kontrolluara deri në forma më agresive.
“Fillimisht jep të vjella, mund të jap zverdhje, hipertensione, ulje të tensionit, marrje mendsh deri në psikoza më të forta siç janë ato të tipit haluçinacione, fillojnë të flasin në mënyrë jo koshiente, humbin memorien, humbin logjikën për gjëra bëhen më pak vigjilentë”.
Një tjetër problem me këtë lloj lënde narkotike është se ajo nuk pikaset nga pajisja që po përdor së fundi policia rrugore për të testuar përdorimin e drogës nga drejtuesit e mjeteve.
Për të përcaktuar nëse pacienti ka konsumuar këtë lëndë nuk mjafton vetëm analiza e urinës dhe flokut.
Identifikimi i drogës "Bonsai" është bërë vetëm nga mjekësia ligjore pas kryerjes së një sërë analizash komplekse.
Sekuestrimi i një sasie nga kjo lëndë narkotike në Korçë, ka nxitur policinë të shtojë kontrollet për të shmangur përdorimin e saj në qytete të tjera.
