Mali i Dajtit pushtohet nga mbeturinat, ORA News sjell pamje live
Mali i Dajtit pushtohet nga mbeturinat, qytetarët të rrezikuar
Mali i Dajtit është një prej destinacioneve më të preferuara të turistëve të huaj dhe vëndasve por, fatkeqësisht mbeturinat janë kthyer në një problem shqetësues në këtë zonë.
Gazetarja e Ora news Katerina Hysenllari në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Mali i Dajtit me Gazetaren Siklaida Shorja ka treguar shqetësimin e ngritur nga qytetarët për shtimin në masë të madhe të mbeturinave në këtë zonë.
Në pamjet e drejtpërdrejta 1km nga rruga kryesore e Linzës dallohet një pirg i madh me mbeturina.
“Këto plehra prej shumë kohësh janë kështu, ne kemi konstatuar se e njëjta situatë paraqitej edhe tre muaj më parë. Me aq sa kemi mundur të flasim me banorët e kësaj zone ata shprehen se e kanë ngritur një shqetësim të tillë prej 5 vitesh dhe deri më tani nuk është marrë asnjë masë për të bërë të mundur vëzhgimin e situatës dhe më pas pastrimin e zonës” raporton gazetarja live.
Edhe banorët janë shprehur se mbeturinat janë kthyer në një problem të madh.
Nuk ka pasur asnjë iniciativë për pastrimin e zonës dhe kthimin e saj në gjendje normale.
Në krijimin e kësaj situate ndikojnë dhe mungesa e koshave të mbeturinave dhe kontenjerët.
“Dhe për turistët është krijuar një situatë problematike pasi përvec pamjes jo të këndshme aroma ndjehet gjatë ecjes në këtë zonë është shumë bezdisëse” thotë gazetarja.
Ndërhyrje e menjëhershme në këtë zonë është e nevojshme për përmirësimin e situatës.
