Lufta në Ukrainë, SHBA dëshiron të shohë një Rusi të dobësuar, Putin: Doni të na shkatërroni

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin ka thënë se shpreson se humbjet ruse në Ukrainë do ta pengojnë udhëheqjen e saj nga përsëritja e veprimeve të ngjashme diku tjetër.

Ai shtoi se Ukraina mund ta fitojë ende luftën nëse i jepet mbështetja e duhur dhe vlerësoi përpjekjet e ushtrisë së saj.

Gjenerali në pension me katër yje tha se SHBA do të ndajë 713 milionë dollarë shtesë ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe 15 vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Austin po fliste pas takimit me Presidentin Volodymyr Zelensky në Kiev.

I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, vizita shënoi udhëtimin e nivelit më të lartë në Ukrainë nga zyrtarët e SHBA që nga fillimi i pushtimit mbi dy muaj më parë.

Takimi mes palëve të SHBA-së dhe Ukrainës, i cili zgjati për më shumë se tre orë, vjen pasi Rusia përshkallëzon fushatën e saj ushtarake në jug dhe lindje të vendit.

Në një konferencë shtypi në Poloni pas vizitës, Austin u tha gazetarëve se SHBA dëshiron të shohë "Rusinë të dobësuar në atë shkallë sa nuk mund të bëjë ato gjëra që ka bërë në pushtimin e Ukrainës".

Shefi i Pentagonit shtoi se zyrtarët amerikanë ende besojnë se Ukraina mund ta fitojë konfliktin "nëse kanë pajisjet e duhura" dhe "mbështetjen e duhur".

Putin dukej se i shfrytëzoi komentet e zotit Austin gjatë një fjalimi të hënën dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqej të "ndante shoqërinë ruse dhe të shkatërronte Rusinë nga brenda".

Korrespondenti diplomatik i BBC-së, James Landale, vërejti se komentet e zotit Austin që bënin thirrje për një Rusi të dobësuar ishin jashtëzakonisht të forta për një sekretar të mbrojtjes të SHBA-së. Është një gjë të ndihmosh Ukrainën t'i rezistojë agresionit rus, është krejt tjetër të flasësh për dobësimin e aftësive të Rusisë, tha ai.