Blinken dhe Austin vizitojnë Kievin në fshehtësi, vizita e diplomatëve nën kushte të rrepta sigurie
Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe ai i Mbrojtjes, Austin kanë vizituar Kievin në orët e vona të së dielës nën kushte të rrepta sigurie. Sipas medieve ata erdhën me avionë mallrash dhe nuk bënë deklarata për shtyp për shkaqe sigurie.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken premtoi nga Kievi se diplomatët amerikanë do të rikthehen në Ukrainë gjatë kësaj jave.
Kryediplomati amerikan u takua me presidentin Zelensky, ministrin e Jashtëm ukrainas Dmitro Kuleba dhe atë të mbrojtjes.
Blinken shoqërohej gjatë vizitës edhe nga sekretari i mbrojtjes, Lloyd Austin.
Dy diplomatët janë zyrtarët e nivelit më të lartë amerikan që udhëtojnë në Ukrainë që nga fillimi i sulmit të vendit nga Rusia në fund të shkurtit.
Vizita e dy zyrtarëve u mbajt nën kushte të larta sigurie dhe sipas burimeve ata kanë mbërritur në Kiev me avionë mallrash dhe shumica e informacioneve të dala nga bisedat me palën ukrainase dolën nëpër medie me burime nga Departamenti i Shtetit dhe jo drejtpërsëdrejti nga Blinken e Austin.
Blinken dhe Austin njoftuan edhe iniciativën e Administratës Biden për të ofruar 713 milionë dollarë shtesë për të ndihmuar Ukrainën financiarisht e ushtarakisht, si dhe për stërvitjen e ushtarëve ukrainas.
Sipas citimeve të zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të dhëna për CNN, diplomatët amerikanë diskutuan me Zelenskyn edhe për negociatat e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
