E djathta merr dy goditje në Evropë/ Macron mund Le Pen, kryeministri slloven humb ndaj kandidatit liberal
Fitorja e Viktor Orban në Hungari dhe ajo e Aleksandër Vuçiç në Serbi duket se janë të mjaftueshme për të djathtët. Në Francë dhe Slloveni qytetarët kanë injoruar forcat konservatore duke i dhënë një mandat të dytë presidentit Emanuel Macron dhe duke rrëzuar nga pushteti kryeministrin nacionalist Janez Jansha në Slloveni.
Presidenti Emmanuel Macron ka fituar një mandat të dytë 5-vjeçar me 58.55% të votave kundrejt lideres së të djathtës ekstreme Marine Le Pen.
Në fjalimin e fitores Macron u tha mbështetësve të tij se do të ishte një president për të gjithë Francën dhe u zotua të bashkonte vendin.
Macron: Ne do na duhet të tregohemi të respektueshëm, sepse vendi ynë është plot me dyshime e ndarje, duhet të jemi të fortë dhe askush nuk do të mbetet pas. Ne do të punojmë së bashku për të arritur unitetin. Vitet në vazhdim sigurisht që nuk do të jenë të qeta. Kjo është ajo që e bën popullin francez, këtë forcë unike. Rroftë Franca!
Fitorja e Macron u mbështet gjerësisht nga krerët e BE-së si dhe liderët e vendeve anëtare, të cilët kishin krijuar idenë se me fitoren e Le Pen do të lindnin trazira brenda bllokut.
Liderja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen e pranoi humbjen dhe tha se kishte uruar Macron për fitoren.
Le Pen, e cila është në krye të partisë që prej 2011 ka humbur dy herë përballë Macron. Rezultati i zgjedhjeve sipas saj ishte më i kënaqshëm se ai i 2017-s.
Të djathtët dolën në protesta në kundërshtim të rizgjedhjes së Macron.
Disa protestues u shoqëruan nga policia, e cila ndaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të protestave.
Disa qindra persona tubuan me parulla kundër presidentit Macron edhe në Britaninë e Madhe.
Humbja e Le Pen nuk ishte e vetmja për konservatorët nëpër Evropë.
Të dielën edhe Sllovenia mbajti zgjedhjet parlamentare, në të cilat kryeministri nacionalist Janez Jansha, i cili kishte filluar të ishte në fokusin e kritikave nga Bashkimi Evropian, pësoi një humbje të thellë kundrejt një lëvizje liberale të sapo krijuar.
Lëvizja për Liri e udhëhequr nga Robert Golob fitoi bindshëm ndaj partisë konservatore të kryeministrit, të cilin opozita e ka akuzuar për minim të institucioneve të demokracisë dhe lirinë e shtypit.
