Nëna dhe foshnja 3-muajshe u vranë në Odesa, bashkëshorti: Bota ime u shkatërrua nga një raketë ruse
Zyrtarët ukrainas deklaruan se tetë persona u vranë në sulmet nga raketa ruse në Odesa.
Mes viktimave në një ndërtesë banimi në qytetin jugor të Odesës ishte një nënë dhe foshnja e saj tre muajshe, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në një konferencë për shtyp.
Buri i saj, Yuriy Glodan kishte lënë banesën dhe familjen e tij vetëm dhe kishte shkuar në dyqan kur mori vesh lajmin e shpërthimit.
Në hyrje të pallatit të tij ai i bërtiti një polici për ta lënë brenda ndërtesës që digjej. Kur arriti në shtëpi, ai gjeti gruan dhe nënën e saj të vrara nga një raketë ruse që kishte goditur katin e poshtëm të bllokut.
Trupi i foshnjës së tij 3-muajshe Kira u zbulua më vonë.
Vdekjet kanë shkaktuar zemërim dhe neveri në Ukrainë, një vend tashmë i ngurtësuar nga dy muaj lufte.
Duke komentuar sulmet, presidenti Volodymyr Zelensky ishte dukshëm i mërzitur kur foli për vrasjen e foshnjës Kira.
"Si e kërcënoi Rusinë? Duket se vrasja e fëmijëve është thjesht një ide e re kombëtare e Federatës Ruse," tha Zelensky në fjalimin e tij të natës për ukrainasit.
Ai i përshkroi ata që kishin planifikuar dhe kryer sulmin si "bastardë".
Pesë të tjerë u vranë gjithashtu në sulmin me raketa.
Yuriy ishte në ndërtesën e shkatërruar të dielën për të gjetur atë që mund të shpëtonte nga apartamenti.
Albume fotografike, koleksioni i qeseve me sheqer të gruas së tij, shënime të shkruara me dorë. Ai gjeti karrocën e fëmijës së tij copë-copë.
“Nëse i lë gjërat në banesë, do të bëhet plehra dhe njerëzit do t’i hedhin”, tha ai për BBC.
“Dua t'i mbaj për kujtimet e mia”.
Ai dhe Valeria ishin çift prej nëntë vitesh.
"Ajo mund të gjente gëzim në çdo gjë. Odesa ishte qyteti i saj i preferuar. Ajo punonte si PR dhe mund të komunikonte me shumë njerëz, t'i kuptonte ata. E admiroja se sa shkrimtare e mirë ishte," tha ai.
"Ajo ishte një nënë e shkëlqyer, shoqe, me të gjitha cilësitë më të mira. Do të jetë e pamundur për mua të gjej dikë tjetër si Valeria. Ajo ishte perfekte. Një person i tillë mund të të jepet vetëm një herë në jetë dhe kjo është një dhuratë nga Zoti."
Kira kishte lindur në fund të janarit, vetëm një muaj para fillimit të luftës.
Disa javë më pas, Valeria kishte postuar në Instagram një foto ku shkruante se po jetonte "një nivel të ri lumturie " pas lindjes së fëmijës së saj të parë. Vajza jonë tani është një muajshe”, kishte shkruar ajo. “Kanë qenë 40 ditët më të mira”.

"Ne ishim shumë të lumtur kur ajo lindi," thotë Yuri.
"Isha në maternitet. Është shumë e vështirë për mua të kuptoj tani që vajza dhe gruaja ime nuk janë më këtu. E gjithë bota ime u shkatërrua nga një raketë ruse."
Ai dëshiron që bota të dijë për atë që ka ndodhur me familjen e tij, shkruan BBC.
"Ajo që po ndodh është një pikëllim për familjen time, për qytetin tonë, për Ukrainën, është një pikëllim për të gjithë qytetërimin. Shpresoj që historia jonë të ndihmojë në ndalimin e kësaj lufte."
