Rendi i pasluftës, evropianët ‘lidhen’ me Indinë
Shefja e BE-së Ursula von der Leyen u takua me kryeministrin indian Narendra Modi për bisedime në Nju Delhi. Klima dhe siguria tregtare si edhe konflikti në Ukrainë dominuan agjendën dypalëshe.
Pas britanikëve, janë zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian që kërkojnë të marrin në krahun e tyre Indinë sa i përket luftës që po zhillohet në Ukrainë.
Bashkimi Evropian dhe gjiganti aziatik prej 1.4 miliardë banorësh dhe me një ekonomi me zhvillim të vrullshëm, ranë dakord këtë fillim jave të krijojnë një Këshill të Përbashkët të Tregtisë dhe Teknologjisë për të rritur bashkëpunimin.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ndodhet në kryeqytetin e Indisë, për të inkurajuar Nju Delhin që të reduktojë lidhjet me Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Deri më tani, edhe pse Rusia është furnitori kryesor me armë i Indisë, gjiganti aziatik është treguar i përmbajtur në diplomacinë që ka ndjekur. India nuk e ka dënuar qartë pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa ka bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të dhunës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë i vetmi vend tjetër që ka një marrëveshje teknike me BE të ngjashme me atë të nënshkruar të hënën me Indinë. “Të dyja palët ranë dakord që ndryshimet e shpejta në mjedisin gjeopolitik theksojnë nevojën për një angazhim të përbashkët të thelluar strategjik”, thuhet në deklaratën BE-Indi.
Së bashku me shefen e BE-së, ministrat e jashtëm të disa vendeve të tjera evropiane, Norvegjisë, Lituanisë, Luksemburgut, Hollandës, Polonisë, Portugalisë dhe Sllovenisë janë gjithashtu në Indi.
Ministrat e jashtëm kanë planifikuar të marrin pjesë në një bisedim për gjeopolitikën, të organizuar nga Ministria e Jashtme e Indisë.
India është një nga aktorët më të rëndësishëm global në Azi dhe në botë. Për shkak të demografisë së madhe, afër me Kinën dhe zhvillimin e vrullshëm ekonomik, India është një nyje kryesore për zhvillimet gjeopolitike të dekadave të ardhshme.
