Macron zgjidhet president, ja me çfarë sfidash do të përballet në mandatin e dytë

Emanuel Macroni do të jetë për një mandat të dytë në krye të shtetit francez. Politikani më i fuqishëm në Evropë ka sfida të forta përpara në këtë mandate të dytë. Ekonomia dhe bashkimi i francezëve janë dy prej  temave kryesore, por nuk mbeten jashtë vëmendjes Reformimi i BE-së, ushtria evropiane dhe politikat e gjelbërta.

Emanuel Macron do të jetë shefi i Elizesë edhe për pesë vjetët e ardhshëm. Ai është zyrtari më i fuqishëm evropian që përfaqëson një vend me armatim bërthamor, pjesë e Këshillit të sigurimit dhe tandemi që mban gjallë Evropën, Francë-Gjermani.

Macron, politikan i moderuar i qendrës, i shpëtoi mallkimit të paraardhësve të tij, Hollande dhe Sarkozy, për t’u rizgjedhur në një mandat të dytë.

Analistët francezë shkruajnë se këto zgjedhje sollën një risi në politikën franceze. Nuk kemi më bipolaritet, por peizazhi politik francez tani është i strukturuar rreth tre poleve . Rezultati zgjedhor i komunistit Jean-Luc Mélenchon ishte surpriza më e madhe e raundit të parë , dhe aftësia e tij për të bashkuar votuesit e krahut të majtë, armiqësor ndaj liberalizmit të ndjekur nga Macron. Në krahun tjetër, Macron u përqendrua në kapjen e elektoratit të së djathtës tradicionale, por pritet të ketë sfida të forta në parlamentin e ri francez me këtë ndarje të ulëseve të përfaqësuesëve.

Kriza ekonomike që ka lënë pas Covidi është një pikë e rëndësishme me të cilën duhet të përballet administrata e presidentit Macron. Protesta e jelekverdhëve në rrugët e Parisit dhe qyteteve të tjera, sipas ekonomistëve, është veçse simptoma e problemeve ekonomike që kanë kapluar vendin.

Ndërkohë, në rangun e politikave ndërkombëtare, Franca përballet me reformimin e BE-së, integrimin e rajonit tonë të Ballkanit perëndimor, dhe ndërtimin e një arkitekture të re të sigurisë të BE-së. Të gjitha këto sfida kanë vite që fliten nga ekspertët e BE-së, por tashmë duket se ka ardhur koha që politikanët të ndërmarrin nisma për t’i bërë realitet.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është dekarbonizimi i BE-së dhe ndjekja e politikave të gjelbërta. Parisi ka qenë vendi mikpritës i marrëveshjes së rëndësishme ndërkombëtare, ndaj priten politika të forta dhe diplomaci e fortë nga Macroni dhe administrata e tij për të çuar përpara këtë projekt ambicioz për mbarë njerëzimin.