Flija, byreku e fasulet shqiptare, amerikanët një herë e provojnë dhe s'e ndërrojnë

Pas Prishtinës dhe Durrësit, vendosën të kërkojnë suksesin në Amerikë. Kjo është historia e Hasan dhe Valon Dalipi të cilët vendosën të hapin një bar – restorant në Massachusetts të SHBA-së.

Historinë e tregon Hasani në një videoskype me emisionin "Ditë e Re" sot në RTV Ora.

“Kemi ardhur në Amerikë në 2017. Donim të vazhdonim profesionin tonë. Atë që kishin bërë në Prishtinë dhe më pas në Shqipëri. Hapëm një bar restorant. Në fillim kemi punuar pa ndërprerje, ditë e natë. Ishte e vështirë në fillim, për shkak të gjuhës e vështirësive të tjera pasi ende nuk i kemi bërë 5 vite” tregon Hasani.

Por shpejt “Stop kafe” u bë një shtëpi e dytë për shqiptarët por jo vetëm.

45 % e klientëve i kemi shqiptarë, të tjerët janë  të nacionaliteteve të ndryshme, spanjollë, meksikanë, arabë” tregon  Hasani.

Por çfarë pëlqejnë më shumë?

“Flija, byreku, fasulet dhe qoftet shqiptare. Një herë e provon dhe nuk e ndërrojnë më” thotë ai.

Një tjetër detaj që ka tërhequr shumë klientët drejt këtij lokali është dhe piktura në kafe.

Brenda 30 – 1 minutë në tavolinën tuaj mbërrin një filxhan me kapuçino i dekoruar me figura nga më të ndryshmet. Zemra, emra të dashurish, qen, mace, zogj, personazhe.   

“Me dizanjin që e kemi bërë në kafe bëmë emër këtu” na tregon Hasan Dalipi.

Nuk mund të mos surprizoniun moderatorët Arjon Muça dhe Arjola Shehu duke i shkruar emrin e tyre në filxhanët me kapuçino. Dhe një tjetër filxhan me logon e RTV Ora.

Prandaj nëse do të bëni një udhëtim drejt Massachusetts ndaloni për një kafe në “stop kafe”.