Eshtrat në Kurbin dyshohet se janë të Mariglenit. U zhduk në 2015 me 10 mln lekë
Eshtrat e gjetura të dielën në Fushë-Kuqe të Kurbinit vijojnë të jenë mister për policinë dhe banorët e zonës. Për efekt zbardhjen e identitetit të viktimës, eshtrat dhe mbetjet kockore janë dërguar për analiza të hollësishme në Tiranë, ndërsa pritet që përmes AND-së të bëhet e mundur identifikimi i viktimës dhe shkaqet e vdekjes. Policia ndërkohë ka dyshime për dy të rinj të zhdukur 10 vitet e fundit.
Eshtrat e gjetura të dielën, 3 prill në Fushë-Kuqe të Kurbinit dyshohet të jenë të 16-vjeçarit, Mariglen Gjonaj nga Mamurrasi i zhdukur në maj të vitit 2015.
Kafka dhe mbetjet kockore të gjetura janë dërguar për ekzaminim në institutin e mjekësisë ligjore në Tiranë, ndërsa familjarëve të 16-vjeçarit i janë marrë analizat e AND-së që do të krahasohen me ato të gjetura në Fushë-Kuqe.
Në atë kohë familjarët kishin denoncuar rastin në polici, duke deklaruar se ditën që ka humbur kontaktet djali i tyre ka pasur me vete një orë të shtrenjtë “Roleks” si edhe disa bizhuteri, të cilat kapnin vlerën e 1 milion lekëve të reja, ndërsa pavarësisht veprimeve që janë kryer përgjatë 6 viteve nuk është arritur të bie në gjurmët e të riut.
Paralelisht me këtë autoritetet do të verifikojnë te gjithë listat e personave që rezultojnë të zhdukur, përfshire dhe një 28-vjeçar nga zona Adriatikut afër vendit ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore.
Familjarët e 28-vjeçarit do të japin edhe ato ADN-ja për të bërë krahasimin.
Pas identifikimit të personit, ekzaminimet do të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me vrasje apo personi në fjalë mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe natyrale.
Kafka dhe mbetjet kockore u pikasen nga një banor, në një zonë me ferra dhe shkurre 30 metra në anë të rrugës që lidh Fushë-Kuqen me Adriatikun.
Ai ka njoftuar policinë në lidhje me rastin dhe blutë u vunë menjëherë në lëvizje, duke kryer të gjitha veprimet hetimore në vendin e ngjarjes.
Ferrat dhe shkurret ku u gjet kafka dhe mbetjet kockore ishte përfshire nga flaket e zjarrit 10 ditë më parë, e që prej asaj kohë në zonë kishte nisur të ndjehej aromë e rëndë, duke shqetësuar banoret të cilët i kanë shtëpitë e tyre 200 metra më larg.
