I shtypën qenin me makinë, 43-vjeçari hakmerret ndaj 2 vëllezërve të mitur në Sarandë dhe i plagos me thikë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Sarandë. Një 43-vjeçar ka plagosur me thikë dy vëllezër 18 dhe 16 vjeç. Ngjarja mësohet se ka ndodhur për shkak se të rinjtë i kishin shtypur qenin pak ditë më parë autorit të ngjarjes.
Ibrahim Duda është autori i plagosjes me thikë të dy vëllezërit 16 dhe 18 vjeç në Sarandë, mbrëmjen e së dielës.
Ai është shpallur në kërkim nga policia ndërsa ende nuk është arritur që të lokalizohet, ndërkohë të dy vëllezërit e mitur ndodhen në spital të Sarandës dhe të Tiranës.
Sherri mësohet se ka motiv pikërisht qenin e autorit Duda, i cili ishte shtypur me makinë disa ditë më parë nga vëllezërit D.G dhe K.G, ndërsa mbrëmjen e së dielës ata kanë qenë në një krepëri në lagjen numër 4 të Sarandës kur autori i ka identifikuar.
Pas një sherri verbal, e më pas fizik rreth orës 22:00 Duda 43-vjeç ka nxjerrë një thikë dhe ka qëlluar tre herë në kraharor 18-vjeçarin K.G, më pas ka qenë vëllai i vogël D.G 16-vjeç, që ka ndërhyrë por edhe ai është qëlluar një herë me thikë.
18-vjeçari i plagosur mësohet se ka humbur shumë gjak, ndërsa është nisur drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë të specializuar, ndërsa 16-vjeçari ka marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Sarandës.
Ndërkohë autori i ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe është shpallur në kërkim.
Ibrahim Duda është një person i njohur për policinë lokale, ndërsa ai është konstatuar si përdorues i lëndëve narkotike, dhe person me probleme të shëndetit mendor.

