"Kërkohet një President" Edhe 200 emaile mbërrijnë në PS. Loja dhe show për emrin e kryetarit të shtetit
Kërkohet një president. E gjithë politika, por dhe emisionet televizive ziejnë këto ditë nga debati se kush do të jetë emri që do të përzgjidhet të jetë në krye të shtetit. Një post mjaft i rëndësishëm por që me kalimin e viteve politika ka ardhur duke ia reduktuar funksionet.
“Kërkohet një president” ishte dhe tema e panelit të të ftuarve në emisionin e mëngjesit të sotëm në “Ditë e Re” në RTV Ora.
“Me sa njoh maxhorancën, kryeministri Edi Rama nuk do ia lërë rastësisë emrin e presidentit.” thotë e sigurtë gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi e ftuar në studion e emisionit “Ditë e Re”
I gjithë paneli, janë në një mendim se i gjithë proces i zarfeve, apo emaileve është thjesht një show, spektakël për të tërhequr vëmendjen nga problem të tjera të mëdha që ka ky vend.
“Nuk besoj se keni dëgjuar më të flitet për aferën e incineratorëve - tërheq vëmendjen gazetarja Fjorela Beleshi- Nisi ky show për të përfshirë qytetarët, PD-në, vijoi me persona të vetëofruar për tu bërë president"
"Rama është i qartë se kë do të vendosë. Ka një identikit të tij. Me burime që kam brenda PS-së kur zoti Rama u ka thënë në grupin PS, deputetëve që të shënojnë emrat në zarfe, ka pasur deputetë koshientë të cilët e dinin se nuk do të jetë emri që do të propozojnë ata, por një emër i vendosur nga lart” thotë Beleshi
Janë 67 emra që kanë dalë nga procesi i zarfeve, ndërkohë socialistët thonë se janë dhe 200 emaile që kanë dërguar qytetarët, në të cilën kanë propozuar një emër për president, tregon gazetarja Beleshi.
Si vënie në lojë e opinionit publik e gjykon edhe Arjana Muça, Psikologe
Arjana Muça: “Ligji e përcakton shumë qartë që një emër mund të propozohet me nismën e 20 deputetëve dhe mund të votohet. Por të luash me anën psikologjike të opinionit publik , me mënyrën si e shikon figurën e presidentit dhe si është përfolur figura e presidentit dhe si janë ngatërruar rolet e pushtetit, secili kërkon të fitojë famë shumë territory, kjo ka sjellë dhe paqartësi të opinionit publik. Dëshira ime mund të jetë e madhe por që nuk varet nga opinioni por nga deputetët”
Edhe Arben Skenderi është i të njëjtim mendim
Arben Skenderi: “Në një vend ku bëhesh e zhbëhesh me një telefon. Hirearkia nuk funiksiponon kjo puna e zarfeve ngjan si populiste. Këtu është mentaliteti se kush do e kapë predidenti. Që nga ky moment bie çdo ekuilibër. Të gjithë palët duan të kapin presidentin për ato pak autoritet që i ka mbetur. Po manipulojnë publikun. Asnjë nuk flet për kriteret”
Kush mund të jetë kandidat i denjë?
Skënderi jep disa emra.
Arben Skenderi: Profesor Përparim Kabo, Aurel Plasari, Nevila Nika , janë njerëz që kanë profilin e duhur. Këta që vazhdojnë e prodhojnë mendje, kanë edukuar gjenerata dhe kanë të gjitha kapacitetet e moshës dhe përvojës për të drejtuar atë post por këto njerëz janë të pakapshëm që nuk shiten e blihen me një telefon”
E ndërsa procesi i zgjedhjes së presidentit vijon, Rama u hoqi shpresat deputetëve socialistë se mund të jetë ndonjë nga ata në krye të shtetit, ndërsa Berisha nuk pranon të marrë pjesë në këtë proces pasi e quan farsë.