I prenë kokën në 2001 në Spanjë, hoteli në Sarandë që ju vendos tritol menaxhohej nga babai i Pajtim Yzeirit

Një hotel u sulmua me tritol në Sarandë, ndërsa në qytet kanë mbërritur turistët e parë. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por ngjarja krijon pasiguri para sezonit turistik. Autori i tritolvënies mbetet i lirë, ndërsa motivet të paqarta.

Një i ri dyshohet se i vuri tritolin këtij hoteli në zonën e Kanalit të Cukës në Sarandë i njohur si pronë e Pajtim Yzeirit, ky i fundit i vrarë në Spanjë.

Autori mbetet i lirë dhe zyrtarisht policia nuk ka arritur tek ai për ta vënë në pranga.

Ngjarja tronditi qytetin në një kohë kur vizitorët e parë kanë mbërritur dhe sezoni turistik është në prag.

Shpërthimi u shënua orën 21:45 minuta, kohë kur edhe lëvizjet e këmbësorëve në zonë ishin të larta.

Eksplozivi u hodh ne katin e pare te hotelit.

Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Detajet nga hetimi ndërkohë janë të pakta.

Policia pas procedurave e njoftimeve standard tregohet e rezervuar me detaje.

Dyshimet ndërkohë janë se sulmi me eksploziv është një mesazh kërcënues ose paralajmërues.

Por se kush ishte marrësi dhe teksti i nënkuptuar, kjo mbetet e paqartë.

Hoteli DEA rezulton në pronësi të babait të Pajtim Yzeirit i ekzekutuar me prerje koke në vitin 2001 në Spanjë.

Objekti për disa sezone ishte dhënë me qira për tu shfrytëzuar, ndërsa këtë vit mësohet se familja Yzeiri kishte vendosur ta menaxhonte vetë.

Policia e Sarandës thotë se ende vijon hetimi për dokumentimin dhe zbardhjen e tritolvënies në Hotel.

Sezonin e kaluar turistik në Sarandë u shënuan disa ngjarje të rënda kriminale.