Loja “bam-bam” në Laç, 32 vjeçari denoncon: Më sulmuan rrugës për në banesë
Një i ri nga Laçi ka denoncuar në Polici se është kërcënuar me armë nga një grup personash. Policia thotë se ka arritur të identifikojë autorët, ndërsa po heton motivet e ngjarjes.
Një 32 vjeçar nga Laçi ka denoncuar në Polici se është kërcënuar me armë zjarri.
Ngjarja pretendohet se ka ndodhur në lagjen Nr.6 të Laçit në afërsi të shinave të trenit.
32-vjeçari me iniciale S.D. po udhëtonte me makinën e tij për të shkuar në banesë kur është kërcënuar me armë.
Sipas tij, ata që e kërcënuan udhëtonin me makinë tjetër, por në sens të kundërt lëvizje me të.
32-vjeçari thotë më tej se ata qëllonin me armë në ajër dhe më pas u larguan.
I riu fatmirësisht nuk mori lëndime.
As makina me të cilën udhëtonte nuk u prek nga plumbat.
Por ai është ndjerë i kërcënuar ndaj ka vënë në lëvizje policinë.
Policia e Kurbinit, thotë se ka arritur të identifikojë dhe ka shpallur në kërkim grupin e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Ndërkohë hetimet vijojnë për të zbuluar nëse 32 vjeçari që denoncoi ishte objektiv i përcaktuar, apo ai u gjend në rrugën e gabuar përballë një grupi personash të armatosur.
