Sfidat e sezonit turistik, në Vlorë operatorët përballen me vështirësi: S'ka nisur ende pastrimi i plazheve
Operatoret turistikë në jug të vendit përballen sërish me vështirësi. Pavarësisht deklaratës së ministrisë së Turizmit se do të çelte më herët lejet për aplikime për strukturat e plazheve por edhe administrimit të këtyre të fundit duket se operatorët nuk ja kanë dalë të aplikojnë brenda afateve.
Sipas Elidon Nikës tur-operator i Vlorës, operatorët e qytetit kërkojnë zgjerimin e fashës së aplikimit si dhe rishikimin edhe njëherë të afateve ligjore.
"Ne kemi aplikuar për marrjen e licencave për plazhet dhe problem nuk kemi marrjen e licencave, por kemi marrjen e bareve të plazhit, domethënë të arrijmë të aplikojmë dhe të marrim lejet për baret. Ky është një problem i madh sepse është mbyllur koha e aplikimit dhe kërkojmë që nga ana e pushtetit qendror dhe vendor të rihapet përsëri aplikimi për marrjen e bareve të plazhit", tha Nika.
Nga ana tjetër sipas Nikës problematikë madhore mbetet ajo me pastërtinë e plazheve. Edhe pse duhet të kishte nisur pastrimi i tyre, mesa duket inertet mbeten shqetësimi kryesor gjatë vijës bregdetare të Radhimës. Operatorët i kërkojnë bashkisë së Vlorës të ndërhyjë ose tu japi lejet të ndërhyjnë administratorët për pastrimin e tyre.
"Kërkojmë që të bëhet pastrimi i inerteve ose të japin leje që vetë ne subjektet t'i pastrojmë të gjitha këto inerte dhe të bëhemi gati për sezonin turistik", tha ai.
Teksa problem madhore mbetet edhe ndërprerja e energjisë elektrike si dhe transporti urban, të cilat edhe pse janë raportuar më herët nuk kanë gjetur zgjidhje. Transferimi i stafeve të punës sipas Elidon Nikës në orët e vona të mbrëmjes dhe në orët e para të mëngjesit si rrjedhojë e mungesës së linjave urbane mbetet shqetësimi kryesor.
"Në zonën e Radhimës problematikë është energjia elektrike, kemi problem me energjinë që gjithmonë kur ka kohë të keqe shfaq defekte. Problem tjetër është edhe shërbimi urban. Ka qytetarë të Vlorës që kërkojnë të bëjnë plazh në Radhimë por nuk i kanë kushtet për arsye se duan të vijnë me transport publik. Është mirë që ky transport të jetë deri në orët e vona të natës, të paktën deri në orën 23:00 dhe për arsyen e shërbimit që mund të bëjmë për gjithë punonjësit tanë që kthehen në Vlorë", shtoi Nika.
Zona e Radhimës dhe Orikumit nuk mbulohet me transport urban prej vitesh tashmë teksa asnjëherë nuk është marr asnjë masë për ndryshimin e kësaj situate.
