Reforma zgjedhore, Kume: Të ndërhyhet në legjislacion, qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar nga pushteti vendor
Kuvendi ka nisur shqyrtimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon të rrëzojë disa nene të reformës zgjedhore.
Eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume i ftuar në RTV Ora me gazetaren Kostana Morava tha se në Kuvendin e Shqipërisë kjo punë nuk ka filluar akoma, Kuvendi vetëm ka marrë vendimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, por ky komision nuk është konstituuar si i tillë.
Kume: Poroblemi brenda opozitës nuk është zgjidhur dhe si duket do vazhdojë të kërkojë akoma kohë për tu zgjidhur. Në varësi të kësaj gjëje do jetë dhe fillimi i punës në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore. Nëse ky komision do fillojë punë, duhet të merren parasysh punë që i takojnë rregullimeve në Kodin Zgjedhor 2 komponentë të rëndësishme. Së pari probleme që lidhen me zgjedhjet e qeverisjes vendore, të cilat vijnë shumë shpejt dhe problemet që lidhen me zgjedhjet parlamentare.
Që të rregullohet legjislacioni për zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore, duhet të punohet edhe në komisionin për reformën territoriale administrative. Për mua është e domosdoshme që të trajtohet edhe problemi që ka të bëjë me legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e pushteti vendor sepse ajo ç'ka ka prodhuar ky pushtet nuk është në përputhje dhe sipas pritshmërive. Shumë qytetarë nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga anëtarët e këshillit bashkiak. Do të thotë që ka nevojë të ndërhyhet në legjislacion, në kuptimin që t'i jepet mundësia komuniteteve të përfaqësohen.
Zoti Kume tha se duhet ndërhyrë në sistem, ose duke e ndryshuar fare ose duke e rregulluar zbatimin e këtij sistemi në Kodin Zgjedhor, në mënyrë të tillë që efektet që disproporcionalitetin midis votave dhe mandateve të zvogëlohet sa më shumë.
Kume: Kjo është e thjeshtë sepse sot me ndryshime te Korrikut në Kushtetutë e kemi të mundshme që mos e ndajmë në 12 njësi zgjedhore, por mund ta ndajmë në 2 njësi, në 4 njësi zgjedhore. Kemi nevojë që të rregullojmë legjislacionin tonë, të rregullojmë votën e emigrantëve. Duhet të jetë detyrë e këtij komisioni parlamentar. Duhet të rregullojmë një problem tjetër shumë ët madh, ndërtimi i administratës. Të ndryshohet apo të trajtohet problemi i parimeve dhe rregullave sipas të cilave ndërtohet administrata zgjedhore.
