Ekonomisë i bie "energjia", Gordani: Mungesë reformash në vendin tonë, biznesi si rrugë pa zgjidhje

Lorenc Gordani ekspert për sektorin e energjisë, u shpreh se energjia nuk mund të shitet e blihet përmes tregtimit sikur të jetë një prokurim i thjeshtë.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Gordani, theksoi se në vendin tonë ka mungesë reformash, ndërsa shtoi se qeveria nuk ka interes t’i bëjë këto reforma.

Më tej ai tha se vendi ynë edhe pse prodhon shumë energji, nuk është në bursë, e për pasojë asgjë nuk është transparente se si shitet apo blihet energjia.

"Ndërkohë që sektori ndryshon ne vijojmë me të njëjtën qasje. Nuk mundet një kompani e mesme ose e madhe të importojë energji përmes prokurimeve pa u bërë anëtare e bursave, jo më energjia e një vendi të mund të shitet e blihet përmes tregtimit sikur të jetë një prokurim i thjeshtë.

Në vendin tonë ka mungesë reformash, biznesi duket si rrugë pa zgjidhje. Qeveria vetë nuk dëshiron që të bëjë një reformë sepse nuk ka interes që ta bëjë reformën. Ne prodhojmë shumë energji por nuk jemi në bursë. Nëse do të ishim në bursë gjithçka do të ishte transparente."- tha ai.