FMN përgjysmon parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2022, më e ulëta në rajon

Efektin e pushtimit rus të Ukrainës shqiptarët tashmë po e ndjejnë përditë. Në raportin e pasqyrës ekonomike globale FMN konfirmon shtrenjtimin e produkteve të shportës me 5.5%.

Por veç familjeve, ndikimin e fortë do ta ndjejë ekonomia shqiptare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përgjysmuar parashikimin për rritjen e pritshme ekonomike të Shqipërisë për këtë vit.

FMN vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet vetëm 2% nga 4.5% që ishte në projeksionin e tetorit.

Ritmet e kësaj rritje priten të ulëta dhe për vitin pasardhës me 2.8%, për tu rritur me 3.4% deri në vitin 2027.

Referuar të dhënave Shqipëria ka rritjen më të ulët në krahasim me vendet e rajonit.

Poll

Vlerësimi i këtij institucioni ndërkombëtar për Malin e Zi është 3.8%, për Bosnje Hercegovinën 2.4%, për Kosovën 2.8%, ndërsa Maqedonia e Veriut pritet të ketë një rritje 3.2%.

Lufta pritet të ndihet më pak nga qytetarët serbë, ekonomia e të cilëve pritet të rritet me 3.5% këtë vit dhe të përshpejtohet me 4% vitet në vijim.

Të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë rishikuar në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të vendit për shkak të efekteve që po jep në ekonominë globale konflikti në Ukrainë, por vlerësimi i FMN-së është më pesimisti.

"Prespektivat globale janë penguar rëndë" thuhet në raport.

Ndërsa sa i përket inflacionit është në rritje në të gjitha vendet për shkak të çekuilibrimit të ofertë-kërkesës që erdhi me pandeminë dhe vijon me bllokimet e fundit çka mund të shkaktojë pengesa të reja në zinxhirët e furnizimit global.

Për t'ju përgjigjur kësaj situate FMN sugjeron që qeveritë ti vijnë në ndihmë shtresave në nevojë dhe të mbështesin refugjatët e zhvendosur nga konflikti në Ukrainë.