Bordi/ Pa zgjidhje për tregun, debate në Komisionin e Ekonomisë, opozita kërkon rishikimin e taksave
Diskutimet në Komisionin e Ekonomisë për aktet normative për ngritjen e Bordit të Transparencës janë shoqëruar me debate të forta.
Për opozitën Bordi i krijuar për monitorimin e tregjeve dhe caktimin e çmimeve nuk është në përputhje me ligjin e Kushtetutën pasi ndërhyrje të tilla në treg përcaktohen vetëm me ligje të veçanta.
“Që të bësh kufizime të lirisë ekonomike, Kushtetuta kërkon plotësimin e dy kushteve, një që të ketë situatë të veçantë, dhe dy të bëhet me ligj dhe jo me ligjin e 1999, por me ligj kur ndodh situata e veçantë", tha Spaho.
Zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja sqaron se një vendim i tillë erdhi për të shmangur abuzimet që po ndodhnin në tregjet e karburanteve.
Por sipas deputetit të opozitës, Edmond Spaho nisma të tilla janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pasi janë në kundërshtim me ligjin.
“Argumenti që jepni ju që e ka kaluar komisioni i ligjeve nuk qëndron, pasi edhe herë të tjera kemi miratuar një ligj, ne e kemi kaluar në Kuvend është publikuar në Fletoren Zyrtare ka shkuar në Gjyaktë Kushtetuese dhe e ka rrëzuar si të jashtëligjshëm", tha Spaho.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se bordi nuk është zgjidhja më e mirë për abuzimet në tregje.
“Ky bord cenon rëndë konkurrencën dhe është mënyra më e gabuar që qeveria ka zgjedhur për të monitoruar këtë treg që vuan prej 30 vitesh mungesën e konkurrencës. Ky akt normativ tregon dështimin për të monitoruar këtë treg", tha Tabaku.
Tabaku kërkoi informacion se çfarë po ndodh me tregun vendas dhe i kujtoi qeverisë premtimin e dhënë për të rikthyer burimet natyrore konsumatorëve.
Sa i takon barrës fiskale për karburantin, opozita kërkoi të dijë nëse qeveria e ka parë mundësinë e heqjes së një prej taksave.
Pasi nuk pati dakordësi mes qeverisë dhe opozitës nëse ligji e kushtetuta janë respektuar apo jo për këtë akt normativ, kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi ndërpreu mbledhjen.
I njëjti akt normativ u diskutua dhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, por opozita refuzoi të marrë pjesë pasi mbledhja nisi rreth 1 orë me vonesë.
