Bujqësia, humbësja e madhe 2022!

Mijëra fermerë të kthyer nga emigracioni po mendojnë të largohen sërisht nga Shqipëria. Investimet në sera po u dështojnë

Bujqësia na mban në punë 40 përqind të punonjësve dhe jep një të pestën e prodhimit kombëtar prej 13.7 miliardë eurosh. Ajo ishte komardarja e shpëtimit për vitin e mbrapshtë 1997 dhe për vitin e pamundur pandemik 2020. Për 12 vite rrjesht, nga viti 2010 deri në vitin 2021, eksportet e fruta-perimeve u shumëfishuan.

Fermerët hodhën 200 milionë euro në sera

Investime të shumta u bënë në përpunimin e tyre, si dhe prodhimet e bulmetit u rritën. Fermerët tanë të kthyer nga emigracioni në këto vite numërohen me mijëra. Erdhën me shpresë të ndërtonin një të ardhme në tokën e tyre. Investuan paratë dhe njohuritë në ndërtimin e serave. Në katër vitet e fundit ndihmuan shumë programet e Bashkimit Evropian të IPARD 2. Rreth 90 milionë euro erdhën nga programet e BE-së dhe nga Buxheti i Shtetit. Vetë fermeret investuan disa here më shumë nga kursimet e tyre. Pra, sollën paratë dhe njohuritë në ndërtimin e serave. Një pjesë morën edhe borxh, me perspektivën që shpejt do t’i shlyenin, nga rritja e prodhimit për treg dhe eksporteve. Por nuk kishin llogaritur pandeminë. Nuk kishin llogaritur paketat fiskale për bujqësinë në vitet 2019 dhe 2022. Çfarë ndodhi?

Sera-biznesi i së pamundurës

Humbjet nga prodhimi i serrave nisën në 2019-n, kur filloi zbatimin ndryshimi i skemës së TVSH-së të kompensueshme nga 20% që ishte më parë në 6%. Diskutimet për ndryshimin e skemës u shoqëruan në 2018 me protesta nga fermerët, të cilët paralajmëruan se reduktimi i shkallës së kompensimit do t’u rrisë kostot e prodhimit.

Në vitet më pas, humbjet nga prodhimet bujqësore u thelluan, për shkak të rritjes së çmimit të fidanëve për të mbjellat, inputet bujqësore dhe naftës. Në anën tjetër, fermerët shprehen të shqetësuar se nuk arrijnë dot të gjejnë treg shitje për produktet e tyre.

Mbingopja e tregut nga prodhimi i domates, specit, trangullit apo bostanit ka ndikuar në rënien e çmimit të shitjes. Prej disa vitesh, fermerët po shesin produktet e tyre nën kosto, arsyeja kryesore që e ka kthyer investimin e ngritjes së serave të paleverdishëm.

Kostoja e prodhimit për 1 dynym serrë është rritur mbi 25%, ndërsa çmimi i shitjes së produktit final është shumë i ulët.

“Kostoja për prodhimin e 1 dynym domate, duke nisur me shpenzimet për blerjen e fidanëve, kostoja prej 20,000 lekësh për spërkatjen e bimëve me plehra kimikë, pagesat prej 1,000 lekë/dita për punëtorët që vjelin domaten, çmimet e larta të blerjes së plastmasës për të zëvendësuar atë të dëmtuarin dhe pagesat e agronomit, vjet ishin 130,000 lekë nga 100,000 që kushtonte në periudhën 2019-2020. Vjet domatet i shitëm 200 lekë/arkën (arka ka 18 kg domate)”, thotë fermeri Fatmir Ndoja, që investoi në tre vitet e fundit në 5 ha sera në Fier, por që këtë vit vendosi të mos kultivojë më perime në serë, por të emigrojë në Gjermani për të punuar në ndërtim kundrejt pagës prej 15 euro/ora.

Bujqësia, humbësja e madhe 2022!

Fataliteti i paketës fiskale 2022

Me pandeminë, në më pak se 15 muaj, çmimet e lëndëve të para në nivel botëror u rritën mesatarisht me 40 përqind! Kostot e transportit me 2.5 herë. Të gjitha këto e rënduan eksportin e fruta-perimeve tek ne. Në janar 2022 u eksportua 15 përqind më pak se janari 2021.

 Mbështetja e Buxhetit të Shtetit për ha në Shqipëri, rajon dhe BE

-          Shqipëria                      30 euro/ha

-          Maqedonia e Veriut       200 euro/ha

-          Kosova                        180 euro/ha

-          Serbi                           100 euro/ha

-          BE si mesatare             400 euro/ha      

Por jo se nuk ka ende kërkesë. Jo. Ajo vijon të jetë e pranishme nga tregjet e huaja. Mirëpo prodhimi vendas i hershëm me dy-tre muaj në sera, avantazhi ynë për të cilin erdhën nga emigracioni fermerët, është tkurrur. Po përse?  Sepse politika për bujqësinë e qeverisë sonë për këtë vit është me kokë poshtë. Buxheti i Shtetit për bujqësinë është tkurrur me 2 përqind nga viti 2019, në vend që të rritet! Nuk ka fare para nga Buxheti i Shtetit për ujitjen dhe kanalizimet. Ndërkohë kur edhe projekte të Bankës Botërore për to nuk ka.

 Buxheti 2022: investimet dhe ujitja në bujqësi

-          Investimet e brendshme              -20%

-          Investimet e huaja                      -23%

-          Ujitja dhe kullimi                         -55%

·         Asnjë fond nga buxheti i Shtetit për ujitjen dhe kullimin në 2022!

Dy lëvizje të qeverisë me paketen fiskale(taksat e reja) 2022 erdhën si thika pas shpine. Pikërisht në momentin më të vështirë për bujqësinë tonë, qeveria vendosi një taksë të re, TVSH-në prej 10% për inputet bujqësore, me idenë se eksportet bujqësore po na rriten kaq bukur në këto 12 vitet e fundit dhe duhet kontribuar më shumë për Buxhetin e Shtetit. Ide fantastike nga penxherja e zyrës me kompjuterin përballë. Por eksportet bujqësore po bien! Për fermerin bie shi në të qullur! Ai e paguan tashmë TVSH-në kur blen hekur dhe materiale të tjera me TVSH për ndërtimin e serës, kur ka blerë dhe blen  plasmasin për serën, kur blen energjinë elektrike, kur blen naftën dhe është pronar me më pak se 0.4 ha tokë, si dhe kur blen shërbime mirëmbajtje për mekanikën bujqësore. Nga ana tjetër, qeveria heq edhe atë pak mbështetje që kishte mbetur që pas vitit 2019, kur kompensonte TVSH-në prej 6 përqind në blerje për fermerin(fermeri u shiste grumbulluesve për përpunim dhe eksport perime, fruta dhe bulmet).

Problematika e mprehtë

-          Janar 2022: eksportet bujqësore 15% më pak se janari 2021

-          Tkurrje e prodhimit në sera

-          30% e serave në rrezik falimentimi

-          Rënie e ndjeshme e shitjeve për plasmas dhe fidanë

-          Vendosja e TVSH-së prej 10% për inputet bujqësore në 2022

-          Heqja e TVSH në blerje prej 6%

-          Borxhet e fermerëve në nivele të larta

-          Pesimizëm në të gjitha hallkat e zinxhirit bujqësor

 

A ka dritë në fund të tunelit?

Pas 1 janarit 2022, kur u hoq edhe ndihma e paktë me kompensimin e TVSH-së në blerje, zhgënjimi dhe pesimizmi mbizotërojnë në të gjithë hallkat e zinxhirit bujqësor. Dy protestat e fermerëve të Lushnjës në nënor 2021, nuk u kuptuan nga qeveria. U kuptuan nga ajo sikur fermerët ishin nxitur nga grosistët e produkteve bujqësore, që të dilnin në rrugë.

Qeveri e vendit tim, të lutem ndihmoje fermerin tonë! Fermerët po ikin sërisht në emigracion, pasi investimet po iu rezultojnë të dështuara. Ti qeveri jo vetëm nuk duhet të kontribuosh për këtë gjendje, me një politikë pa kokë në zinxhirin bujqësor, por duhet t’i ndihmosh fermerët. Duhet të dëgjosh “SOS-in” që po e këlthet prej pesë muajsh bujqësia jonë, që me protestat e fermerëve të Lushnjes në nëntor 2021. Mënyrat e ndihmës janë të gjitha të qarta dhe të mundshme.

Duhet të krijohet menjëherë bursa e produkteve bujqësore. Të bëhet orientimi i prodhimit me nevojat e tregut, për të shmangur mbiprodhimin dhe hedhjen në kanal të produkteve bujqësore.

Të rivendoset shërbimi shtetëror i agronomisë, që garanton cilësinë dhe nxjerr përgjegjësitë(farat, fidanet mashtrues), për prodhime jashtë standardit. Të kemi subvencion për njësi prodhimi, si e ka Kosova. Subvencion i cili, përveçse ndihmës direkt prodhuesit, ndikon në formalizimin e bujqësisë. Të nxisim industrinë përpunuese në përpunim(kompostim) për prodhimet që nuk arrijnë të shiten. Të bisedojmë me BE që një pjesë e programeve të IPARD 3 të shkojnë për industrinë përpunuese të lëndëve të para bujqesore të vendit.

Të gjitha këto, po të bëhen shpejt(kuptohet, edhe dy masat absurde të politikës fiskale në bujqësi të hiqen urgjentisht), mund ta mbajnë fermerin të qëndrojë në Shqipëri. Të mos largohet nga sytë këmbët.

Ne nuk mund të lejojmë një burim të madh largimi t’i shtohet largimeve të tjera që kanë ndodhur e po na ndodhin. Kryeministri tha në fund të vitit të kaluar që do të fliste me fermerët. Është pikërisht tani koha që t’i takojë!