Hasimja: Qëndresa e Alibeajt e bën të diskutueshëm pushtetin e Berishës. Lëvizjet në PD, ringritje të demokracisë në parti
Analisti Ermal Hasimja, teksa ka folur për situatën në PD, është shprehur se nëse kjo parti do të vazhdonte në gjendjen në të cilën ishte para përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, do vazhdonte edhe 30 vite të tjera me humbje.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Hasimja u shpreh se zhvillimet në PD, mund të hapin dyert për një ndryshim pozitiv në këtë parti.
Ermal Hasimja: Opozita është në një gjendje shumë të vështirë, por nuk është se ishte më mirë edhe përparë kësaj situate. Po të vazhdonte në gjendjen që ishte, PD ndoshta mund të vazhdonte edhe 30 vite të tjera me humbje, dhe pa arritur ta ngre veten në lartësinë e duhur për të forcuar shqiptarët. Nuk është e sigurt që PD-ja edhe në Komisionit e Rithemelimit të jetë në lartësinë e duhur. Por është mirë që gjërat lëvizën, sepse është pikërisht lëvizja, që mund të hapi dyert për një ndryshim pozitiv në PD-në. Meraku ynë si qytetarë nuk është kthimi në pushtet i PD-së, meraku është dalja, fuqizimi i partive të cilat do të jenë në gjendje të përfaqësojnë qytetarët shqiptarë në mënyrën më të mirë të mundshme, e aq më tepër përballë një shumice e cila ndihet rehat në mandatin e tretë. Në atë gjendje që ishte PD, nuk premtonte asgjë pozitive, sepse po akumulonte dështimet e saj. Po as tani nuk shohim diçka që e garanton rikthimin e PD-së, në pozicionet e saj përfaqësuese, por të paktën e shohim se gjërat po lëvizin.
Hasimja e sheh pozitive qëndresën që Enkelejd Alibeaj po i bën Berishës, ndërsa thot se kreu i grupit parlamentar ka mbështetjen e SHBA-së.
Ermal Hasimja: Fakti i qëndresës që po bën Alibeaj ndaj Berishës ka diçka pozitive,sepse kishim kohë që të shihnim dikë që t’i rezistonte Berishës. Kjo është një gjë që e bën më të diskutueshëm pushtetin e Berishës, por jep edhe shembullin që mund t’i qëndrosh edhe dikujt që në të shkuarën kanë pasur pushtet absolut mbi partinë e tij. Këto lloj lëvizjesh japin shpresë pozitive për të ardhmen.
Sipas tij, situata dhe debatet në PD, mund të sjellin një ringritje të demokracisë brenda partisë.
Ermal Hasimja: Brenda PD nuk ka ndodhur që të ketë debate kaq të gjata, por ndoshta kjo lloj situate do të sjell një lloj ringritje të demokracisë brenda partise. Berisha do e ketë të vështirë të krijojë një lloj sistemi autoritar kontrolli brenda partisë. Alibeaj duket qartë se ka mbështetjen e SHBA, ambasadës amerikane, por nga ana tjetër mendoj se edhe vet e ka në karakterin e tij këtë lloj qëndrese. Përmes kësaj qëndrese krijon një lloj precedenti pozitiv të qëndresës brenda PD-së.
Përgatiti Anila Kolgjini.
