Kriza e çmimeve nuk ndikoi në konsumin e karburanteve dhe ushqimeve

Kriza e çmimeve nuk ka ndikuar në konsumin e karburanteve apo dhe të ushqimeve.

Sipas INSTAT, në muajin mars kur edhe u ngritën dy Borde për kontrollin e çmimeve, importet në Shqipëri u rritën me 21 përqind.

Vlerën më të lartë të mallrave që kanë hyrë në vendin tonë e zënë karburantet dhe energjia, me një shtesë prej 14 për qind e ndjekur nga materialet e ndërtimit dhe nga ushqimet.

Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, edhe eksportet e mallrave për janar-marsin janë rritur me 50 përqind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Efektin më të madh në rritjen e tyre e kanë patur materialet e ndërtimit me 20 përqind, pasuar nga karburanti dhe energjia e tekstilet. 

Vlera e eksporteve për tre muajt e parë të këtij viti ka arritur 120 miliardë lekë, ndërsa importet e mallrave arritën 207 miliard lekë.

Vendet në të cilat kemi dërguar më shumë mallra gjatë këtij tremujori janë Italia, Kosova dhe Gjermania, ndërsa vendet nga ku kemi marrë më shumë renditen Italia, Turqia dhe Kina.