Rritja e çmimeve, Preçi: Qeveria po bën propagandë, krijimi i bordeve efekt negativ

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, teksa ka komentuar rritjen e çmimeve në vendin tonë, është shprehur se qeveria më shumë po bën propagandë se sa po bën përpjekje për të minimizuar krizën ekonomike në vend.

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Sonila Musai, tha se rritja e çmimeve ka ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së nivelit të jetesës.

Zef Preçi: Rritja e çmimeve të mallrave të rëndësishme, ka filluar që në gjysmën e dytë të vitit 2021. 

Zvogëlimi me 20% i numrit të lopëve, deleve, dhive, pakësimi i sipërfaqeve të mbjellë me drithëra ka reflektuar me një çrregullim përsa i  takon kërkesë ofertës. Agresioni rus në Ukrainë, dhe çrregullimet e shkaktuara për këtë shkak në tregjet botërore, kanë bërë që të rriten çmimet jo vetëm për produktet bujqësore, por edhe për lëndët e para djegëse, karburantet e tjera.

Qeveria më shumë se sa po vepron për të minimizuar efektet e rritjes së çmimeve, po bën propagandë, dhe po e komplikon më tej, me atë metodën e bordeve, që janë instrumente të dala mode, të ndërhyrjes shtetërore në ekonomi. Në vend që rishikojë ngarkesën fiskale që kanë karburantet, merren me propagandë, me mbledhje bordesh se sa kontribuojnë për të minimizuar efektet.

Rritja e çmimeve synon të optimizohet, por asnjëherë duke u kthyer në nivelet e mëparshme.

Rritja e çmimeve vjen në mënyrë graduale dhe kjo ka ndikuar në përkeqësimin e cilësisë dhe nivelit të jetesës për një shtresë të gjerë të popullsisë, dhe në dobësimin e përgjithshëm të ekonomisë sonë kombëtare.  Kjo nuk mund të mos çojë në një situatë ekonomike të padëshirueshme për çdo ekonomi dhe për çdo vend.

Ai tha se bordet e transparencës kanë pasur efekt negativ, ndërsa shtoi se tashmë është momenti që të ketë politika që të nxisin prodhimin vendas.

Zef Preçi: Do ishte mirë të ketë  politika që nxisin prodhimin vendas. Këto borde kanë pasur efekt negative, sepse nëse ne pranojmë që jemi në ekonomi tregu, duhet të pranojmë edhe linjën e firmave të reja, dhe daljen e firmave nga tregu.

Në raste të tilla, ndërhyrja shtetërore, nuk është për ta ngrirë situatën, përkundrazi është për të nxit prodhimin vendas, është për të nxit importet, për produktet kryesore. Bordet shërbejnë për të justifikuar qeverinë përballë qytetarëve, dhe rëndon krizën e situatën e familjeve në nevojë.

Përgatiti Anila Kolgjini.