KLSH, propozime për shmangien e monopolit të tenderave, në raport një arbitrazh i ri: OSHEE është paditur për një dëm 8 mln euro

Për të hequr monopolin në tendera duhet të marrin pjesë më shumë se dy kompani. Kontrolli i Lartë i Shtetit i paraqet këtë propozim Qeverisë për të shmangur edhe ankimimet pasi së fundi në Arbitrazh ka shkuar edhe një padi e re ndaj OSHEE-së, fatura e së cilës ende nuk dihet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konfirmon në Komisionin e Ekonomisë se në procedurat e prokurimeve publike janë krijuar monopole.

Shehu: Përfundimi i procedurave me një pjesëmarrës jo vetëm ka ulur ndjeshëm numrin e pjesëmarrësve por për pasojë efektivitetin në përdorimin e fondeve publike dhe ka çuar gradualisht në krijimin e monopoleve në tregun e prokurimeve publike për sektorë të ndryshëm dhe kryesisht në sektorët e ndjeshëm të shërbimit për qytetarin.

Këtij shqetësimi iu bashkua dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila i kërkoi KLSH-së të identifikojë sektorët.

Për te shmangur monopolin, kreu i këtij institucioni bëri me dije se i ka propozuar një draft Qeverisë.

Shehu: KLSH ka kërkuar përmirësime ligjore për vendosjen e kushtit ligjor për vendosjen e numrit normal të paktën 2 operatorëve për të vazhduar me procedurën. Kjo do rrisë konkurrencën.

Arben Shehu evidentoi se ekzistojnë risqe të mundshme që cënojnë financat publike, pikërisht nga abuzimet me tenderat, kontratat koncensionare apo vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

Sa i përket këtyre të fundit, Tabaku paraqiti rastin e padisë së ngritur ndaj OSHEE-së, e cila deri më tani nuk ishte e njohur për publikun.

Tabaku: Nuk gjeta totalin e arbitrazheve por u njoha me një arbitrazh të ri. Ju përmendni në raport që OSHEE është njoftuar nga Avokatura e Shtetit për një dëm në vlerën e 8 mln eurove, referuar çështjes së arbitrazhit të 2017 me palë paditëse Energy Financing Team AG. Nëse ka mundësi për totalin e arbitrazheve dhe si është situata në këtë drejtim?

Një tjetër shqetësim i opozitës lidhet me përdorimin e fondit rezervë.

Tabaku: Fondi rezervë nuk është një fond dytësor për nevojat e shtetit, por është një fond që përdoret në raste dhe për nevoja ekstreme, jo si një fond garancie që mbahet sa herë ka nevojë për të futur dorën kushdo ministër për të bërë procedura konkuruese prokurimi.

Për opozitën, të gjitha këto shqetësime e vendosin buxhetin e shtetit përpara një risku të jashtëzakonshëm dhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet t’i shërbejë si plan pune.