Pasurohen më tej të pasurit, në 2021 u rritën kursimet por edhe llogaritë bankare pa para

Kursimet në bankë prej individëve, bizneseve kanë shënuar një rritje gjatë vitit të shkuar. Janë 1.43 trilion lekë në depozita me një rritje prej 11.4 për qind krahasuar me 2020-ën.

Ndërkohë, në shoqëritë e kursim-kreditit fondi i kursimeve ka arritur 9.6 miliardë lekë.

Janë sërish më të pasurit ata që kanë më shumë të ardhura dhe rrjedhimisht edhe para në bankë, duke zënë dhe peshën kryesore të rritjes.

Për 109 mijë persona shtesa shkon me 10.4%, duke u pasuruar edhe më shumë dhe për pjesën tjetër 2.6 milionë depozita, rritja është vetëm 4.8% në total ose e thënë ndryshe 1.11 trilion lekë.

Në raportin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave thuhet se pjesa më e madhe e tyre kanë kursime minimale, apo dhe thjesht një llogari të hapur në bankë, por pa para.

Ajo që vihet re është se gjatë vitit të kaluar ka pasur një rënie të depozitave të sigurueshme në lekë dhe rritje të valutës, kryesisht euros.

Kështu sipas dokumentit, kursimet e siguruara në valutë kapnin vlerën e 716 miliardë lekëve kundrejt 642 miliardë lekëve që përbëjnë depozitat në lekë.

Gjatë vitit 2021, ecuria e depozitave të individëve në lekë ka qenë pozitive gjatë gjithë muajve të vitit me përjashtim të një rënieje të lehtë në muajin gusht, duke reflektuar shtimin e prurjeve nga emigrantët.