Ngritja e Komisionit, Koti: Do paraqesim platforma për burimet alternative të energjisë

Deputetja demokrate Sorina Koti, ditën e sotme në një deklaratë për mediat ka kërkuar krijimin e një Komisioni të Posaçëm  për energjinë.

Për të folur në lidhje me qëllimin e këtij komisionin, deputetja dha një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj.

Ajo tha se krijimi i një Komisioni është i nevojshëm, nisur nga gjendja e krizës energjetike në vendin tonë.

Sorina Koti: Duke parë situatën e vështirë që ka kapluar Shqipërinë nga muaji tetor, nëntor ku PD i ka denoncuar vjedhjet e OSHEE-së, ne kemi bërë edhe një denoncim për abuzimin që ka pasur me përdorimin e burimeve natyrore dhe me rritjen e fondeve, kemi arritur në një pikë që edhe për shkak të luftës, Rusi-Ukrainë ku ndjehet që rritja e çmimit mund të përdoret dhe si pasojë e luftës në Ukrainë, menduam se krijimi i një Komisioni të Posaçëm për energjinë është mëse i nevojshëm. Shqipëria nuk ka një komision, enkas për energjinë dhe për zhvillimin e saj.

Ne shumë shpejt do e dorëzojmë kërkesën në parlament  për miratim dhe besoj se nuk do të ketë kundërshtime nga grupet parlamentare të cilat do e votojnë, sepse në fund të fundit ne do duhet të japim zgjidhje mbi platforma dhe programe reale për zgjidhjen energjetike në vendin tonë.

Ajo tha se në këtë komision do të prezantohen platforma alternative për energjinë.

Sorina Koti: Nuk është komision hetimor, është komision i posaçëm për energjinë, i cili do të sjellë platformën e duhur për burimet alternative të energjisë. Pjesë e Komisionit do të jenë edhe debatet që ka hasur Shqipëria gjatë vite të fundit, të cilat do të na çojnë në rekomandime konkrete, duke u bazuar gjithmonë te ekspertë të mirë të fushës.

Për keqmenaxhimin e energjisë deputetja tha se PD ka bërë denoncim në SPAK.

Sorina Koti: Denoncimi që ne kemi bërë në SPAK është për vjedhjet e fondeve dhe për keqmenaxhimi i energjisë elektrike. Komisioni do të ndihmojë në hartimin, rregullimin dhe monitorimin e institucioneve të tjera të cilat do të rregullojnë tregun e energjisë elektrike. Në atë Komision do të jenë edhe deputetë të cilët vijnë edhe nga mazhoranca.

Ndërkohë ekspert i ekonomisë Eduart Elezaj, tha se krijimi i një komisioni të tillë është i nevojshëm.