Shqipëria në 85 mijë foto
85 mijë foto që lidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore në vend gjatë viteve 1944-1990 tashmë mund të gjenden online në fototekën e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Shqipëria në 85 mijë foto.
Momentet nga ngjarjet historike, politike, shoqërore e kulturore nga viti 1944 deri në vitin 1990 tashmë mund të gjenden online në fototekën e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Këto fotografi të paraqitura rishtazi, i bashkohen pasurisë prej 86.000 imazhesh të publikuara më herët.
"Ne nuk kemi vetëm këto fotografi të reja të cilat janë hedhur, por kemi dhe gjithë fotografitë e Institutit Luce të cilat kanë qenë më përpara të hedhura. Kështu krijohet një panoramë më e plotë përmes imazhit dhe jo thjesht përmes fjalës e gjithë periudhës së luftës dhe komunizmit. Janë fotografi që nga jeta intime e drejtuesve politikë, deri në jetën e tyre politike."
Drejtori Ardit Bido thotë se platforma është interaktive dhe qytetarët apo studiuesit mund të shtojnë elementë përshkrues për çdo foto.
"Përmes platformës online çdo qytetar mund të aksesojë falas dhe në format të dallueshëm fotografitë. Gjithashtu duke shtypur vetëm një buton në faqen zyrtare mund t'i blejë ato në cilësinë maksimale."
Fototeka e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave është renditur e dyta në rang vendi, pas fototekës së “Marubit”, për nga materiali përkatës nën zotërim.

