Gara për Drejtorin e TKOB, Çela kërkon një mandat të tretë: CV-ja ime nuk bie ndesh me kriteret

8 ditë nga përfundimi i afatit të dorëzimit të dosjeve në Ministrinë e Kulturës, Zana Çela njofton se do të rikandidojë për një mandat të tretë në krye të Teatrit të Operas dhe Baletit. Kriteret e reja të vendosura nga Ministria ajo thotë se i plotëson.

Gati dy vite nga përfundimi i detyrës, Zana Çela kërkon një mandat të tretë për drejtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit.

"Platforma ime do të bazohet në gjithçka që ne kemi bërë dhe treguar në objektivat kryesore që ne kemi prezantuar që në 2016 dhe siç e thashë ato janë në vazhdimësinë e tyre".

Ministrja e Kulturës Elva Margariti njoftoi një javë më parë se kandidatët për këtë post duhet të kenë master shkencor në ekonomi. Një të tillë Çela nuk e ka por thotë se jetë-shkrimi i saj nuk bie ndesh me kriteret e vendosura.

"Kriteri kryesor master shkencor pa e identifikuar se ne cilën degë duhet të jetë ky master, sigurisht që unë e kam masterin shkencor".

Deklaratës së Margaritit se drejtuesit e institucioneve duhet të kenë aftësi në grumbullimin e fondeve Çela ju përgjigj me statistika.

"Të ardhurat nga sponsorizimet gjatë mandatit që unë drejtoj në krahasim me mandatin e kaluar janë 5-fishuar. Rritja e të ardhurave për shfaqjet tona artistike kanë qenë 124 milionë lekë".

Deklaratat u bënë në një konferencë për mediat ku u njoftua se për herë të parë pas 30 vitesh Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore do të nis një tur në Kosovë.

" Pjesë e valleve tona do të jenë do të jenë disa valle të Kosovës, siç është vallja e Rugovës duke përfshirë pastaj edhe vallen tonë simbol atë çame, po kështu dhe vallen e shqipeve dhe një valle të Tiranës".

"Kemi një trup mikse, valltarë me eksperiencë dhe valltarë të rinjtë".

Pas Kosovës Ansambli do të udhëtojë drejt trevave të tjera shqiptare.