Paja dikur traditë, sot nostalgji, Çela: Çdo vajzë shqiptare duhet të ketë në garderobë një kostum të punuar me dorë

Bërja e pajës së nuses ka qenë një ndër pjesët më të  rëndësishme të  traditës shqiptare.  Dikur vajzat sapo mbushnin 13 vjeç nisnin të qëndisnin pajën që do të merrnin me vete pasi të kurorëzoheshin në martesë. Paja përmblidhte gjithçka që nga çentrot, mbulesat e krevatit, rrobat e nuses, orendi shtëpiake, çarçafët etj. 

Tradita e pajës ishte e pranishme nga jugu në veri, në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në pajën e nuses  kishte edhe veshjen popullore të zonës, veshje kjo që mund të ishte edhe fustani i nusërisë.

E ftuar në emisionin “Jeto me orën” Nexhi Beqiri tregoi në studio pajën e saj para se ajo të bëhej nuse, një pajë kjo e qëndisur me grep. Edhe Elida Çela, artizane na rrëfeu se “Edhe në ditët e sotme vajzat vishen me kostume popullore të qëndisura me grep në dasmat e tyre”. Në kohët e hershme ishte e paimagjinueshme që një vajzë të dilte nga dera e babait pa pajë ndërsa sot vajzat nuk përgatisim më pajën e tyre me shtiza dhe me grep.

Sipas Nexhi Beqirit vajzat sot janë të prirura në mobilimin modern të shtëpisë së tyre, por ajo këshillon vajzat e reja të bëjnë edhe qëndisje me grep që ta kenë kujtim nga vajzëria e tyre.

 “Çdo vajzë shqiptare duhet të ketë në garderobën e saj një kostum të punuar me dorë, një gjë kjo që tregon ruajtjen e traditave shqiptare” shprehet Elida Çela.

Një pasqyrim i kundërt i qëndisjeve të dorës është Elona Bakiu e cila në pajën e saj ka pasur produkte të nevojshme për shtëpinë e saj. Në kohët e hershme paja është konsideruar një ndihmesë familjare nga prindërit e vajzës që kur ajo të shkonte në shtëpinë e burrit ta kishte kokën lart.

Gjërat e pajës dhe ato që vijnë nga punimet e dorës janë një thesar pasi mbartin mes vete kujtime, kujtime të cilat marrin një vlerë të pallogaritshme me kalimin e kohës.