Mungojnë studiuesit e Mesjetës, Xhufi: Në Arkivat e Venecias 2400 dosje, nuk ka kush t'i studiojë

Në Shqipëri mungojnë studiuesit e Periudhës së Mesjetës, ndaj kjo mbetet një sfidë për botën akademike shqiptare. Historiani Pëllumb Xhufi ndërsa paralajmëron se ky shqetësim do të jetë evident edhe për shumë vite, i bën thirrje studiuesve të rinj që punën e tyre ta bazojnë në dokumentet origjinale, e jo në tezat e historianëve, apo studiuesve të tjerë, për të shmangur në këtë mënyrë gabimet.

Mesjeta shqiptare është një periudhë thuajse e pazbuluar. Me të dhëna e informacione të pakta kjo kohë duket se do të mbetet e tillë për shumë gjatë.

Historiani Pëllumb Xhufi gjatë një leksioni akademik për mesjetën arbërore të shekullit të XI deri në shekullin e XIV ngriti shqetësimin e mungesës së studiuesve për këtë periudhë.

"Ngelen 2400 dosje dhe këtu duhet punë e organizuar, këtu duhet të krijohen kuadrot të rinj, sepse ne po ikim dhe është fatkeqësi që në universitetet italiane ka me mijëra studentë shqiptarë. Nuk gjeta një student të vetëm ët studiojë letra klasike,. Latinishten greqishten e vjetër të cilat janë të domosdoshme për studimet albanologjike", tha Xhufi.

Po ashtu ai këshilloi studiuesit që punën e tyre ta bazojnë në dokumentet origjinale e jo në tezat e historianëve apo studiuesve të tjerë, për të shmangur në këtë mënyrë gabimet.

"Nuk duhet besuar gjithmonë dokumenteve që botojnë të tjetër. Unë nga përvoja ime kam parë që lënë dokumente të cilat në pikëpamje shqiptare janë jashtëzakonisht të rëndësishme, të domosdoshme. Ai e vlerëson si serb, si rumun, si grek që nuk është e rëndësishme dhe nuk e boton një dokument të caktuar", shtoi ai.

Për shkak të të dhënave të pakta Mesjeta Shqiptare është konsideruar gjithnjë si periudhë e errët e historisë tonë.

Mungojnë studiuesit e Mesjetës, Xhufi: Në Arkivat e Venecias