"Demokratët shpirtra të lirë", Alibeaj-Ramës: S'kanë skelete në dollap si të tutë, i detyron si dele të fusin emrat në zarf
Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tij në Kuvend e ka quajtur një farsë zgjedhjen e Presidentit me emra të futur në zarf. Ai i kujtoi kryeministrit Rama patronazhistët gjatë zgjedhjeve të 25 prill 2021 dhe tha se nuk beson që Rama do ta zgjedhë Presidentin me konsensus. Opozita tha Alibeaj, ka detyrimin që të grisë farsën me zarfa të maxhorancës dhe të bëjë procesin transparent para shqiptarëve. Demokratët, sipas tij, janë shpirti i lirë, dhe nuk kanë frikë nga e shkuara ashtu si ata të Ramës.
Alibeaj: Të flasë për deputetët e vet, dy i ka në qeli, dy të tjerë nuk guxon as t'i zërë emrin. Filloje nga vetja, do të jesh i besueshëm, do të kalosh ylberin, bëj këtë gjë. Je kryeministri i vendit ti e? Bëj këtë gjë. Tregoje! Ke vjedhur mandate, por nuk ke legjitimimin e shqiptarëve. Kjo është e rëndësishme. Do të zgjedhës presidentin tënd? Mund ta bësh. Pse lodhesh kot me zarfe. Kujt po i hedh hi syve? Ti që çfarë s'bërë 1 vit më parë, me patronazhistë, me gjithë shtetin në betejë dhe vjen këtu për të treguar që do zgjedhës Presidentin, ti zemërmadhi. Bëjë këtë si shenja e parë e sinqeritetit në këtë proces. Ne vërtet mund të jemi në një situatë të vështirë, por këta njerëz janë shpirtra të lirë. Nuk kanë skelete në dollap, jo si këta të tutë. I detyron si dele, ndjesë, vini zarfet, nga 3 emra për çdo zarf. Çfarë do të thotë kjo? Presidenti në zarf? Ne kemi detyrimin ndaj shqiptarëve, të paktën ndaj gjysmën së shqiptarëve që na votuan. Ne kemi detyrimin që farsën me zarfa të ta grisim. Beteja jonë është para shqiptarëve.
Zoti Alibeaj shtoi se kjo do të jetë qasja që do mbajë Grupi Parlamentar në këtë proces, pa komplekse, pa u tërhequr dhe pa u bërë pjesë e lojës meskine. Alibeaj tha se opozita është krenare për atë që ka bërë deri tani do vazhdojnë ta bëjnë të gjithë së bashku.
Alibeaj: Zarfat t'i mbajë për vete. Ky të zgjidhë hallet e veta dhe ata që ka te 313 dhe ata që do shkojnë te 313. Ky nuk është halli i shqiptarëve. Kanë hall tjetër, prej 9 vitesh tashmë është ky. Sot mund të dukemi sikur jemi pak, por forca, modeli, morali, kjo është mënyra e vetme që mund të bëjë shumicën e shqiptarëve të ndershëm përballë kësaj situate të përshitrë. E ndjeni dhe ju të gjithë, por nuk keni gojë të flisni. Mbase jo të gjithë jeni në gjendjen e këtij. Keni vënë dorën në Kushtetutë, ju përdor si numra, merrni zarfa, mbushni zarfa. Ne jemi krenarë për atë që kemi bërë deri tani dhe që do të bëjmë të gjitha bashkë.