Çunat në Londër, shtëpi bari në Kukës, zbulohet laboratori ku rriteshin 934 rrënjë kanabis me llampa
E para shtëpi bari është zbuluar edhe në Kukës, një qytet i njohur për numrin e madh të emigrantëve në Londër nga ku vjen edhe kjo mënyrë e kultivimit të bimëve narkotike. Dy persona u shpallën në kërkim për ngritjen e laboratorit ku po kultivoheshin mbi 900 rrënjë kanabis.
Tradita londineze e “Shtëpive të Barit” ka mbërritur edhe në Kukës, të njohur për numrin e madh të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.
Një laborator i rritjes së bimëve narkotike përmes ngrohjes me llampa u zbulua brenda një apartamenti në lagjen 3 të qytetit verilindor.
Aty ishin vendosur , llamba elektrike, aspiratorë dhe aksesorë të tjerë që shërbejnë për ngrohje.
Nën to, po rriteshin në gota plastike 934 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis.
Siç tregojnë pamjet bimët janë në fazë të hershme të rritjes, çka tregon se janë kultivuar së fundmi.
Policia thotë se kishte marrë informacion se në qytet ishte ngritur një shtëpi bari, por kur blutë ndërhynë aty nuk gjetën askënd.
51 vjeçari Kastriot Hasanaj, pronari i banesës u shpall në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.
Laboratorin e kanabisit, sipas policisë e ngriti në bashkëpunim 28 vjeçarin Hasan Spahiu, i cili po ashtu është shpallur në kërkim.
Hetimi në kuadër të operacionit “First” vijon më tej nga policia e Prokuroria e Kukësit për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë.
Shtëpitë e Barit, siç njihen ndryshe Laboratorët e kanabisit janë konfirmuar si mënyrë kryesore e kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri, krahas serave dhe parcelave të vogla në zonat e thella malore.
