"Kërkon të më vrasë", djali kanoste babanë me hanxhar në Lushnje, ndërhyn policia dhe shmang tragjedinë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lushnje. Policia ka arrestuar një 25-vjeçar i cili ushtroi dhunë ndaj babait dhe e kanosi se do ta vriste me mjet prerës.

"Në sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë ka ardhur një telefonatë nga shtetasi A. Q., 56 vjeç, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i biri po ushtronte dhunë fizike ndaj tij dhe po e kanoste për ta vrarë me mjet prerës", bën me dije policia.

Pasi policia ka mbërritur në adresën e dhënë në fshatin Krutje, është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi në kohë e autorit.

Por në momentin që patrulla ka mbërritur në shtëpi, 25-vjeçari i ka kërcënuar shërbimet e Policisë se do të dëmtonte ata ose veten, në rast se do të ndërhynin. 

"Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin A. Q., 25 vjeç."

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua  mjeti prerës (hanxhar), me të cilin 25-vjeçari kanosi për të vrarë babanë e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.