Goditje të njëpasnjëshme nga policia e Korçës, “postbllok” kanabisit drejt Greqisë, 3 në pranga

Tre persona u arrestuan në Korçë duke transportuar 40 kg kanabis sativa, ndërsa dyshohen si pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës drejt Greqisë. 19 persona janë arrestuar dhe 485.5 kg drogë është kapur në kuadër të operacionit “Restart” gjatë 5 muajve në Korçë.

Në makinë po transportohej lëndë narkotike.

Tentativa e trafikut ishte dekonspiruar dhe policia u bëri postbllok në aksin rrugor Korçë-Ersekë.

Kontrolli në bagazhin e mjetit verifikoi informacionet.

Çantat e zeza ishin plot me drogë që dyshohet se do tentohej të trafikohej drejt Greqisë.

Andrea Myrtollari, 35 vjeç, që drejtonte mjetin, Asqeri Bebri, 54 vjeç, dhe Astrit Sinani, 55 vjeç, u vunë në pranga në kushtet e flagrancës.

Lënda narkotike rezultoi e llojit kanabis sativa.

Nga peshimi rezultoi 40 kg e ndarë në 22 pako.

Policia e Korçës thotë se kjo ishte faza e 7 e operacionit policor të koduar "Restart", për goditjen e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës kryesisht drejt Greqisë.

19 persona janë arrestuar dhe 485.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis janë sekuestruar në kuadër të aksionit nisur 5 muaj më parë.