Alibeaj: Do mblidhemi sërish me Grupin, çdo deputet do japë opinion për Presidentin. S'mund të zgjidhet nga Rama

Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar e cila zgjati 1 orë, Alibeaj dha një deklaratë për mediet. I pyetur se çfarë vendimi do marrë lidhur me kërkesën e Albana Vokshit që i kërkon të çojë në Kuvend kërkesë për rikthimin e deputetëve të përjashtuar në Grup, Alibeaj tha se kjo çështje është sqaruar.  Alibeaj u shpreh se Grupi do mblidhet sërish për të diskutuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit dhe do merren opinionet e të gjithë deputetëve.

Alibeaj: Kjo çështje është sqaruar. Kjo ishte një mbledhje e cila duhej të zhvillohej dje. Sot në mbledhjen e GP çështja që u diskutua e para ishte  e agjendës parlamentare. Çështja tjetër është ajo e qëndrimit që do mbajë PD lidhur me propozimin e Presidentin. Qëndrimi im është që në mënyrë kolegjiale do duhet të konsultohen gjithë deputetët. Për këtë arsye u la një mbledhje tjetër ku do merren opinionet e secilit deputet dhe në fund të sintetizohet një qëndrim final.

Mbledhjet e Grupit Parlamentar janë gjithmonë me zhurmë, sepse gjithmonë ndodh që vjen zoti Berisha dhe pa asnjë lloj roli jep opinionin e tij. Unë mund t'ju them qëndrimin tim. Procesi i zgjedhjes së Presidentit është i rëndësishëm, pavarësisht rolit dhe kompetencave të kufizuara, pavarësisht faktit që me ndryshimet kushtetuesve të 2008, të marrëveshjesh Berisha-Rama në atë kohë, zgjedhja e Presidentit degradon në raundin e 4 dhe 5 me 71 vota. Kjo është penalizuese për opozitën. Megjithatë edhe sot që flasim opinioni im është i qartë, Edi Rama nuk e ka të drejtën të zgjedhë Presidentin, nuk e ka sepse nuk ka 84 vota.

Alibeaj u shpreh se Presidenti duhet të jetë i shqiptarëve dhe procesi nuk mund të rrudhet e të degradojë futur në zarfe. Sipas tij, kjo është e turpshme dhe qesharake.

Alibeaj: Këtu duhet të përballet opozita, PD. Ka dy rrugë; njëra është me bishtin ndër shalë të shmangemi. Jo! Kjo është një mënyrë e cila nuk na ka funksionuar dhe nuk do funksionojë. Për këtë arsye do përballemi me Edi Ramën dhe klikën e tij. Jo duke ikur, duke ja grisur fasadën që do të bëjë me zarfe. Është detyrim Kushtetues. Presidentin simbolizon unitetin. Ky duhet të jetë një qëndrim që do duhet të zhvillohet një proces që respekton figurën e Presidencës, transparencë. Presidenti është i shqiptarëve. Grupi Parlamentar i PD do ketë mbledhje tjetër.

Alibeaj nuk tregoi se kur do mblidhet sërish Grupi, por tha se do të ishte nëj ide shumë e mirë që mbledhja e Grupit Parlamentar të behtë transparente dhe ftoi gazetarët të marrin pjesë për të ndjekur zhvillimet.